Trafikonte emigrantë drejt Italisë, arrestohen shoferi dhe 2 refugjatët e shpallur në kërkim ndërkombëtar

31/10/2025 08:18

Arrestohet në Portin e Durrësit një 47-vjeçar që tentonte të trafikonte tre emigrantë drejt Italisë, të fshehur në kamionin që drejtonte.

Dy prej tyre rezultuan të shpallur në kërkim nga autoritetet italiane, njëri si pjesë e një organizate kriminale të trafikut të drogës.

Njoftimi:

Finalizohet nga Policia Kufitare, operacioni i koduar “Marine”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kuifirit.

Fshehu në kamionin që drejtonte, 3 shtetas që synonin të kalonin ilegalisht në Itali, arrestohet 47-vjeçari.

2 nga shtetasit e fshehur në kamion, të shpallur në kërkim nga autoritetet italiane, njëri prej tyre i akuzuar si pjesëtar i një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike.

Këta 2 shtetas u vunë në pranga, ndërsa shtetasi tjetër i fshehur në kamion, i dënuar më parë në Itali, u vu në hetim.

Sekuestrohen kamioni, celularë dhe dokumente të këtyre shtetasve.

Si rezultat i kontrolleve të detajuara në hyrje/dalje të Republikës së Shqipërisë, ndaj shtetasve dhe mjeteve me të cilat ata lëvizin, dhe i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Policisë Kufitare të portit të Durrësit finalizuan operacionin policor të koduar “Marine”. Në kuadër të operacionit u vu në pranga shtetasi:

K. Gj., 47 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi në kamionin që drejtonte u gjetën të fshehur 3 shtetas që synonin të kalonin ilegalisht kufirin.

Nga verifikimet e kryera në kuadër të këtij operacioni dhe nga shkëmbimi i informacionit ndërmjet strukturave homologe të Interpolit, në Tiranë dhe në Romë, rezultoi se:
-shtetasi R. M., 37 vjeç, banues në Lezhë, i fshehur në kamion, ishte në kërkim ndërkombëtar, pasi Zyra e Prokurorit Publik në Pistoia, Itali, ka lëshuar urdhër arresti për të, për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i vuajtjes së dënimit”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Grup kriminal me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”. 37-vjeçari u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimin në Itali.

-shtetasi K. D. alias K. F. alias K. P., i fshehur në kamion, ishte shpallur në kërkim kombëtar në Itali. Ky shtetas u arrestua dhe pritet lëshimi i urdhër arrestit ndërkombëtar nga autoritetet italiane, për të.

-shtetasi S. D. alias K. M. i fshehur në kamion, ka qenë i dënuar më parë, me burgim, nga Gjykata e Pratos, Itali, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Për këtë shtetas nisi procedimi në gjendje të lirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta