SHBA rrit numrin e trupave ushtarake në Karaibe, Maduro letër për ndihmë Rusisë dhe Iranit, Trump: Nuk do godasim objektiva brenda Venezuelës

31/10/2025 21:39

Në një letër drejtuar personalisht presidentit rus, Presidenti venezuelian Nicolas Maduro thuhet se bëri kërkesa të shumta për mbështetje ushtarake, ndërsa administrata Trump rrit operacionet ushtarake në brigjet e Amerikës së Jugut.

Dokumentet e siguruara nga Washington Post zbulojnë se Maduro i dërgoi një letër Vladimir Putinit duke i kërkuar atij të përmirësojë radarët mbrojtës, të riparojë avionët ushtarakë dhe ndoshta, të furnizojë raketa, ndërsa forcat amerikane vazhdojnë të grumbullohen në Karaibe.

Administrata e Trump ka synuar anijet në brigjet e Amerikës së Jugut dhe po kërcënon me ndërhyrje ushtarake nga Uashingtoni.

Sipas dokumenteve, qeveria venezueliane iu drejtua gjithashtu Kinës dhe Iranit, duke kërkuar ndihmë dhe pajisje ushtarake për të forcuar mbrojtjen e vendit. Maduro gjithashtu i dërgoi një letër private Presidentit kinez Xi Jinping, duke kërkuar “zgjerimin e bashkëpunimit ushtarak” midis dy vendeve për të adresuar “përshkallëzimin midis SHBA-së dhe Venezuelës”.

Në letër, Maduro i kërkoi qeverisë kineze të përshpejtojë prodhimin e sistemeve të zbulimit të radarëve në mënyrë që Venezuela të mund të forcojë aftësitë e saj mbrojtëse.

Të njëjtat dokumente thonë se Ministri Venezuelan i Transportit Ramon Celestino Velázquez kohët e fundit koordinoi një dërgesë të pajisjeve ushtarake dhe dronëve nga Irani, ndërsa po planifikonte një vizitë zyrtare në Teheran.

Në një bisedë me një zyrtar iranian, Velázquez tha se Venezuela kishte nevojë për “sisteme gjurmimi pasiv”, “bllokues GPS” dhe “padyshim dronë me një rreze veprimi prej 1,000 km”. Nuk është e qartë nga dokumentet se si Kina dhe Irani iu përgjigjën kërkesave të Venezuelës.

Megjithatë, nga ana e saj, Rusia mbetet burimi kryesor i mbështetjes së Maduros.

Të dielën, një Ilyushin Il-76 – një nga avionët rusë të shënjestruar nga sanksionet e vitit 2023 nga Shtetet e Bashkuara për përfshirje në trafikimin e armëve dhe transportimin e mercenarëve – mbërriti në Karakas, kryeqytetin e Venezuelës, pasi bëri një fluturim të gjatë mbi Afrikë për të shmangur hapësirën ajrore perëndimore, sipas Flightradar24. Kremlini refuzoi të komentonte mbi letrën e Maduros.

Vetëm një ditë më parë, Moska kishte ratifikuar një traktat të ri bashkëpunimi strategjik me Karakasin. Zhvillimet tregojnë se sa shumë ka për të humbur Moska nëse udhëheqësi kontrovers i Venezuelës bie.

Siç raporton Washington Post, projektet midis dy vendeve vazhdojnë, përfshirë një fabrikë prodhimi Kalashnikovësh që u hap në korrik në shtetin Aragua të Venezuelës, rreth 20 vjet pasi u nënshkrua marrëveshja. Moska gjithashtu ka të drejta për të eksploruar rezerva të pashfrytëzuara të gazit natyror dhe naftës me vlerë miliarda dollarë.

Megjithatë, analistët thonë se aftësia dhe interesi i Moskës për të ofruar mbështetje ushtarake për Maduron mund të jenë zvogëluar krahasuar me vitet e kaluara. Ata thonë se bllokimi midis Uashingtonit dhe Karakasit mund t’i sjellë dobi Moskës duke i shpërqendruar amerikanët nga Evropa dhe kriza e vazhdueshme e sigurisë në kontinent.

Megjithatë, Presidenti mohoi sot se po shqyrtonte nisjen e sulmeve në tokën venezueliane, megjithëse raportet tregojnë se SHBA-të ka të ngjarë të zgjerojnë fushatën e tyre kundër karteleve të drogës në Karaibe.

“Jo”, u përgjigj presidenti republikan kur një gazetar e pyeti nëse raportet ishin të vërteta.

SHBA-të kanë vendosur një forcë të madhe ushtarake në Karaibe, me avionë luftarakë, anije luftarake dhe mijëra ushtarë. Kjo forcë do të rritet më tej në javët e ardhshme, kur të mbërrijnë aeroplanmbajtësja Gerald Ford dhe anijet e saj shoqëruese.

Në javët e fundit, Trump ka deklaruar publikisht se administrata e tij do të nisë sulme kundër objektivave të lidhura me drogën brenda Venezuelës.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta