Përplasi dy këmbësorë në vijat e bardha, procedohet drejtuesi i automjetit në Vlorë
Një furgon me arsenal u kap ditët e djeshme nga policia në Tiranë. Sipas Ervin Karamuçës, ky është një furgon lëvizës, që shpërndan armë.
Karamuço deklaroi se furgoni ka qëndruar rreth tre muaj i parkuar pranë zonës së Myslym Shyrit, i palëvizur dhe i kamufluar me logot e kompanive që merren me mirëmbajtjen e rrugëve. “Logoja është vënë kastile për t’u identifikuar dhe për të thënë ‘ej, mos i prekim këta se janë të filanit’,” tha ai, duke shtuar se për kapjen e këtij arsenali është përdorur edhe përgjim ambiental, në të cilin anëtarët e strukturës thoshin: “Ato të furgonit mos i prekim tani për tani.”
“Po kush është ky furgon? Policia ka kohë që po hetonte. Ky operacion rezultoi i suksesshëm sepse e kanë ditur shumë pak njerëz në polici. Kjo ka lidhje me një hetim të SPAK,” u shpreh Karamuço.
Sipas tij, është gjetur arsenali i një grupi kriminal, ku gjysma e anëtarëve janë arrestuar dhe gjysma janë në kërkim. Ai shtoi se ishte planifikuar një atentat me eksploziv në Tiranë. Në furgon janë gjetur armët që shihen në foto, por edhe aksesorët e detonimit në distancë të eksplozivit që do të përdorej për një ngjarje që parashikohej nga policia. Megjithatë, eksplozivi nuk është gjetur — “mund ta kenë hequr, mund ta kenë vendosur diku tjetër”, tha Karamuço.
Sipas tij, kjo ngjarje “ka ndryshuar direkt metodën që ne kemi njohur deri më sot” për grupet kriminale, të cilat zakonisht i mbanin armët në banesa të braktisura ose të marra me qira, ndërkohë që tani i kanë të lëvizshme.
“Më ka bërë shumë përshtypje logoja e përdorur, por edhe targa 911, numri i emergjencës. Pra ky furgon është i lëvizshëm; arsenalin e armëve dhe municioneve e lëvizin ku ju duhet, shpërndajnë armët, ikin dhe vijnë prapë këtu e parkohet,” tha Karamuçë.
Ai shtoi se armët shpërndahen për atentate ndaj personave konkretë: “Merr armën dhe shko godite.”
“Kjo që ne kemi zbuluar e përmbys të gjithë atë që ne njohim deri tani, që i dinim se i mbanin në shtëpi. Tani ka një furgon lëvizës, madje edhe numrin e ka numër emergjence, për të vrarë,” theksoi Karamuço.
Në përfundim, ai tha se kjo është kapur si një arsenal lëvizës që i përkiste këtij grupi kriminal, por që dyshohet të jetë i lidhur edhe me grupe të tjera.
Top Channel