 
																		Kryesia e Kuvendit të Kosovës u mblodh për herën e parë pas konstituimit të dytë.
Mbledhja kishte për synimin formimin e trupave parlamentare, buxhetin e shtetit dhe buxhetin për tre komuna. Por, sipas kryetarit të kuvendit, nuk pati rezultat pozitiv.
“Nuk është e zakontë me u mbledhë kryesia por unë mendoj që ose së paku kam pritë se sikur të kishte vullnet politik ka qenë bindja ime e thellë që s’ka pasë shkelje ligjore e Kushtetuese për me i themelu komisionet”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.
Partitë politike refuzuan vazhdimin e punës së Kuvendit, për shkak se nuk e lejon rregullorja e punës, pasi fillimisht kërkohet votimi i qeverisë. Për këtë çështje, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar në konsultim të premten partitë politike. Nga PDK-ja kanë konfirmuar pjesëmarrjen e po ashtu shtojnë se nuk ka shumicë të re parlamentare për formim të qeverisë.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vlora Çitaku tha: “Kosova nuk ka kohë për të humbur, nuk e kemi as edhe një ditë për të humbur. Është e qartë që nuk ka shumicë të re parlamentare, nuk kemi nevojë për taktizime”.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje u rezervua në komentimin e formimit të qeverisë, porse shtuan se vendi është drejt zgjedhjeve.
“Gjithçka në kohën e vet, nesër do të japim qëndrimin e Lëvizjes Vetëvendosje. Ajo se çka dihet është që presidentja mund të shpallë zgjedhjet por edhe mund të ia japë mandatarin dikujt nga partitë politike”, u shpreh nënkryetarja tjetër e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Të dielën e 26 tetorit, Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje dështoi të zgjidhej kryeministër në mungesë numrash. Deri më pesë nëntor ka kohë Presidentja e Kosovës të caktojë mandatarin e dytë për formimin e qeverisë.
Top Channel