“Tirana zyrtare angazhim të palëkundur drejt anëtarësimit”, Balla lexon deklaratën e përbashkët me BE-në: Vijon mbështetja për Shqipërinë

29/10/2025 13:54

Në vijim të Takimit të 20-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asocimit, Taulant Balla shpalosi raportin e përbashkët me BE-në.

Në deklaratë theksohet hapja e një zyre përfaqësimi për Ballkanin Perëndimor në Tiranë me vendim të PE, teksa po ashtu u përshëndet bashkëpunimi i ngushtë dhe mbështetja që Evropa i ka dhënë Shqipërisë në rrugëtimin për anëtarësimin në familjen evropiane.

“Kemi pasur shkëmbime të sinqerta dhe gjithëpërfshirëse mbi një sërë çështjesh të rëndësishme, përfshi negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, politikën e jashtme, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal; ecurinë dhe sfidat në sektorët e ekonomisë, energjisë, mjedisit dhe turizmit në Shqipëri; ecurinë dhe sfidat në institucionet e sundimit të ligjit, dhe në luftën kundër korrupsionit e të gjitha formave të krimit; respektimin e të drejtave të njeriut, e të drejtave të pakicave dhe lirinë e medias.

U fokusuam veçanërisht tek reformat që ende janë shumë të nevojshme për ta çuar Shqipërinë edhe më pranë BE-së, por edhe për të konsoliduar sundimin e ligjit në vend, në dobi të të gjithë qytetarëve të saj. Në këtë drejtim, jemi dakord për nevojën për të pasur legjislacion të mirë, si dhe për zbatimin e tij të qëndrueshëm dhe të intensifikuar.

KPSA përshëndet angazhimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj anëtarësimit në BE, i cili është thelbësor për përparimin e vendit dhe pasqyron mbështetjen e fuqishme të qytetarëve të saj dhe konsensusin e gjerë e të lavdërueshëm mes forcave politike, pavarësisht dallimeve të tyre të zëshme në çështje të tjera. Mirëpresim ambicien për të çuar përpara negociatat e anëtarësimit, e në veçanti ecurinë në hapjen e një numri mbresëlënës të grupkapitujve negociues gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit, me pritshmërinë për të hapur grupkapitullin e fundit të mbetur përpara përfundimit të vitit.

Përshëndesim më tej rreshtimin e plotë të Shqipërisë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, veçanërisht në reagimin e saj ndaj sfidave globale, dhe ndikimin pozitiv të vendit për stabilitetin rajonal dhe angazhimin proaktiv në nismat e bashkëpunimit rajonal, siç janë Tregu i Përbashkët Rajonal dhe Procesi i Berlinit, të cilat shërbejnë si hapa jetikë drejt integrimit në BE.

Parlamenti Evropian është i gatshëm të vijojë të ndihmojë Kuvendin ndërkohë që Shqipëria i afrohet anëtarësimit të plotë në BE. Në këtë kuadër, përshëndesim vendimin e Parlamentit Evropian për të hapur në Tiranë zyrën e përfaqësimit të tij për Ballkanin Perëndimor. Theksojmë se kjo përbën njëherësh njohjen e arritjeve të vendit për anëtarësim, si dhe vlerësimin e qytetit si një nga kryeqytetet më tërheqëse dhe më dinamike në këtë pjesë të Evropës.

Ne gjithashtu përshëndesim nismat që synojnë të mbështesin Kuvendin e Shqipërisë, deputetët dhe shërbimet parlamentare, në forcimin e kapaciteteve parlamentare dhe rolin e tyre në procesin e integrimit në BE. Në këtë drejtim, presim me padurim të bashkëpunojmë ngushtë në fushat e dialogut, konsensusit dhe ngritjes së kapaciteteve për parlamentarët në të gjithë spektrin politik, me një theks të veçantë tek deputetët e rinj dhe fuqizimi i grave.

Presim me padurim takimin e ardhshëm të KPSA BE-Shqipëri, i cili do të zhvillohet në Bruksel ose në Strasburg, në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm”, tha Balla.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta