Nga Flutra Ahmedi Kalisi

Kërçova do të shkojë të votojë sërish të dielën, mes mëdyshjesh e dilemash që dikush po i’u jep ngjyrë konflikti ndëretnik. Dikush tjetër,  i quan votimet si dilemë për të zgjedhur mes dy të këqijave, të keqen më të vogël. Dikush tjetër e krahason me librin e Gabriel Garcia Markez-Kronikë e një vrasje të paralajmëruar. Apo kronikë e një humbje të paralajmëruar.

Mirpo, Autori në këtë rast nuk është Markezi, por Ali Ahmeti, bazuar në veprimin e fazës së fundit të përmbylljes së karierës politike.

Megjithatë, këto dilema nuk duhet trajtuar kaq sipërfaqsisht. Ndoshta ia vlen të reflektojmë pak më thellë mbi një gjë: fakti që shqiptarët po largohen nga drejtimi i Kërçovës është vetëm një pasojë  dhe mbase ajo më e lehta.

Defaktorizimi i shqiptarëve në rang kombëtar është pasojë më e rëndë e inatit të fortë të një njeriu. Inati i fortë, njësoj si uthulla e fortë, prish enën e vet. Në rastin tonë, inati i Ali Ahmetit prish Kërçovën dhe njëkohësisht cënon unitetin e gjithë shqiptarëve.

JA PËRSE…

Me Fatmir Limanin si kandidat të krejt shqiptarisë në Kërçovë, do mbyllej pa konflikte, pa përfolje, një periudhë e gjatë dominimi kontrovers i BDI-së, i Ali Ahmetit dhe mëkëmbësit të vet, Fatmir Dehari në krye të Kërçovës.

Me këtë mbyllej një kapitull i gjatë me njollat që dihen dhe do hapej një kapitull i pastër.

Do vijonte një kapitull i ri, kur dikush si Limani nga Zajazi, nga familja, nga lufta, familje dëshmori do vinte në krye të Kërçovës. Ky kapitull do të ishte kërcim cilësor përpara!

Kjo nuk ndodhi. Aliu e di pse dhe mbetet përgjegjës pse nuk u realizua!

Duhet përmendur edhe faktin tjetër që, marrëdhëniet e mira të Limanit me qeverinë, do të hapnin perspektivë për realizimin e projekteve kapitale për komunën, duke nisur nga  ndërtimi i spitalit, pjesëmarrja e kompanive kërçovare në punimet e segmenteve nacionale (Koridorit 8-të, Rrugës së Arbërit..), rritja e punësimit etj, etj.

Ali Ahmeti e din dhe këtë dhe është përgjegjës që nuk ndodhi.

Do të krijoheshin premisat që nisur nga Kërçova, faktori shqiptar i ndarë në VLEN e AKI, të mund të bashkëpunonte për fitimin e komunave, por dhe për bashkëpunim në nivel nacional. Më mirë të bashkëpunohet mes vëllezërish, apo me Levicën !?

Aliu e din edhe këtë. Mirëpo nuk e lejoi të ndodhte.

Nëse do të kandidonte Fatmir Limani, si kandidat i përbashkët i dy koalicioneve kryesore, diaspora do të motivohej fuqishëm dhe mund ta zgjidhte rezultatin që në raundin e parë. Shqiptarët nuk do ndaheshin mes veti, as në lagje, as në vendbanime, as midis diasporës…

Aliu e din pse shkojmë në raundin e dytë, dhe vetëm ai është përgjegjës. Askush tjetër.

Me Fatmir Limanin, ndonëse do të kishte konfrontim apo votim të qartë ndarës mes shqiptarëve dhe maqedonasve, në nivel Kërçove, njëkohësisht do të kishim edhe kandidatin fitues shqiptar më të pranuar mes maqedonasve. Pra, do t’i shërbehej mirëkuptimit etnik dhe ndëretnik, dhe jo ndarjes.

Aliu e dinte këtë dhe nuk e bëri. Prandaj është përgjegjës për mungesën e hapave drejt mirëkuptimit ndëretnik.

Është e qartë për Kërçovën, për krejt Maqedoninë, Ali Ahmeti, përpiqet pa u ndalur t’i vardiset Kryeministrit, duke u vetofruar si partneri më luajal ndryshe nga VLEN. Me Limanin në krye të Kërçovës nuk do të kishte nevojë të vardisej kaq shumë dhe do të ruante dinjitetin. Ama mes partive, koalicioneve do të kishte më shumë mirëkuptim për objektivat nacionale, më pak teatër të simuluar për konfliktualitet ndëretnik.

Atëherë pse Aliu nuk e zgjodhi këtë rrugë, sepse nuk e kuptoi???

Epo ai është përgjegjës edhe për këtë. Ali Ahmeti është përgjegjës politikisht më së pari.  Sepse ka eksperiencën, pjekurinë politike t’i kuptonte këto argumenta. Nëse i ka kuptuar, dhe nuk i ka konsideruar, vetëm inati mundt të jetë shkaku kryesor pse i ka injoruar. Mirëpo inati personal në politikë, veçanërisht kur bëhet fjalë për interesin nacional, është rrethanë rënduese.

Dhe në fund, diçka që thekson përgjegjësinë njerëzore të kreut të BDI-së.  Ali Ahmeti ka qenë i vetëdijshëm se Fatmir Limani, dinte gjithçka për dobësitë e kundërivalit të tij. Nuk i përdori kurrë ato, ndonëse pala tjetër do sillej ndryshe nëse rolet do ishin të anasjellta. Kjo është fisnikëri njerëzore, fisnikëri kombëtare.

Ali Ahmeti i dinte të gjitha këto, dhe preferoi të këmbëngulte me të njëjtin njeri për disa mandate rresht, megjithë të metat apo njollat në karrierë.

Duke këmbëngulur, jo vetëm që ka fyer bashkëvendasit e vet, të cilëve u ofroi një kandidaturë kaq problematike, por u tregua edhe miop, i shurdhër përballë kësaj fisnikërie të Fatmir Limanit.  Kjo e bën atë edhe përgjegjës në plan njerëzor.

Epo përballë këtyre përgjegjësive politike dhe njerëzore, kuptohet qartë se kush është demeritor për rezultatin që mund të dalë nga kutitë e votimit.

Shqiptarët nuk u faktorizuan, shqiptarët nuk u pajtuan mes veti në nivel Kërçove, e si pasojë edhe në nivel shtetëror. Nuk u lejua të krijohet një urë bashkëpunimi ndëretnik, duke nisur nga vendlindja e tij, që në krye të  Kërçovës nuk erdhi një valë e re moraliteti e fisnikërie. Duke ruajtur stabilitetin, por dhe duke ecur përpara.

Shtrohet pyetja se kush është përgjegjës për rezultatin?!

E din çdo kërçovar, çdo shqiptar që sheh përtej mjegullës së fjalëve.
Kërçova nuk bie për shkak të fatit, as të ndarjeve etnike, por për shkak të një dore që s’deshi të lirojë pushtetin.

Inati i një njeriu lëre që shkatërron Kërçovën, por edhe kërcënon krejt shqiptarinë.

Siç thotë një fjalë popullore: Disa njerëz i krijojnë retë dhe habiten kur bie shiu!

Në këtë rast, Ali Ahmeti është ai që ngriti retë me inatin e tij  dhe tani Kërçova po i paguan shirat…Aliu s’ka pse habitet!

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta