“Mendo për 3 fëmijët, do bëhesh shumë i pasur”, SHBA kërkoi të joshte pilotin e Nicolás Maduros për të tradhtuar udhëheqësin venezuelas. Zbulohen mesazhet
Partia në pushtet në Gjeorgji, Ëndrra Gjeorgjiane, i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të vendit të ndalojë tri partitë më të mëdha opozitare, që kanë qëndrim të fuqishëm properëndimor, tha një anëtar i lartë i këtij subjekti.
Shalva Papaushvili tha se partitë “praktikisht dhe vazhdimisht e mohojnë legjitimitetin e brendshëm, ashtu edhe atë të jashtëm politik të Qeverisë aktuale dhe partisë në pushtet të Gjeorgjisë, rrjedhimisht edhe kushtetutshmërinë e saj”.
Tri partitë opozitare – Koalicioni për Ndryshim, Lëvizja e Bashkuar Kombëtare dhe blloku Gjeorgjia e Fortë-Lelo – “paraqesin kërcënim real për rendin kushtetues”, tha Papaushvili më 28 tetor.
“Kërkesa jonë përmban prova se këto parti politike udhëhiqen nga qëllime antikushtetuese”, u shpreh Papushvili.
Papuashvili tha se vendimi u mor edhe bazuar në madhësinë dhe ndikimin e tri partive. Ai theksoi se grupet më të vogla aleate politike nuk janë përfshirë në këtë fazë në kërkesën e tyre, por kjo mund të ndryshojë.
“Potenciali i tyre antikushtetues mund të shqyrtohet më vonë nëse ato fitojnë ndikim të madh në procesin politik”, tha Papaushvili.
Irakli Kupradze, anëtar i lartë i partisë Gjeorgjia e Fortë, citohet të ketë thënë nga mediat lokale se kërkesa e parashtruar nga Ëndrra Gjeorgjiane “është një goditje vendimtare ndaj demokracisë”, duke premtuar se partia e tij do t’i rezistojë kësaj goditjeje.
Gjeorgjia, shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ka përjetuar përkeqësim të raporteve me bllokun, që kur Tbilisi miratoi një ligj kundër komunitetit LGBT dhe ligjin e ashtuquajtur kundër agjentëve të huaj, vitin e kaluar.
Raportet u përkeqësuan edhe më shumë pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura tetorin e kaluar, kur Ëndrra Gjeorgjiane e mbajti pushtetin dhe më pas vendosi të ndalë bisedimet për anëtarësim në BE, duke miratuar politika që shumë – përfshirë Brukselin – i konsiderojnë si politika proruse.
Në Gjeorgji vazhdojnë protestat, BE-ja paralajmëron ndëshkime
Protesta janë mbajtur përditë në Tbilisi që nga zgjedhjet dhe janë intensifikuar pasi kryeministri Irakli Kobakhidze njoftoi për pezullimin e bisedimeve për anëtarësim.
Disa figura të larta të opozitës gjeorgjiane janë arrestuar, ndërkaq Policia ka intensifikuar arrestimin e protestuesve gjatë protestave antiqeveritare.
Ëndrra Gjeorgjiane thotë se ende dëshiron t’i bashkohet BE-së, por vetëm nëse mund të ruajë, siç thotë, vlerat tradicionale të krishtera ortodokse, si dhe marrëdhëniet paqësore me Rusinë.
Figura të rëndësishme të Ëndrrës Gjeorgjiane, përfshirë Bidzina Ivanishvili,, miliarder dhe ish-kryeministër, vazhdimisht janë zotuar se do t’i ndalojnë partitë opozitare për shkak të, siç kanë argumentuar ata, lidhjeve të tyre të supozuara me ish-presidentin Mikheil Saakashvili, i cili është duke e vuajtur një dënim me burgim për vepra që përfshijnë abuzim me pushtetin. Ai pritet të qëndrojë në burg deri në vitin 2034.
Dy nga tre partitë opozitare që po përballen me ndalim kanë kritikuar Saakashvilin, i cili udhëhoqi me Gjeorgjinë si reformator properëndimor nga viti 2003 deri më 2012. Megjithatë, opinioni në Gjeorgji për Saakashvilin mbetet i ndarë: disa e lavdërojnë për reformat dhe afrimin me Perëndimin, të tjerët e kritikojnë dhe e shohin si politikan të paparashikueshëm, autoritar dhe autor i luftës së shkurtër me Rusinë më 2008. /REL
Top Channel