Rritet bilanci i të vdekurve në Rio de Janeiro, 130 viktima pas përplasjes së dhunshme mes qytetarëve dhe policisë
Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara kanë përfunduar sot detajet e marrëveshjes së re tregtare, që pritet të riformësojë marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve.
Lajmin e ka bërë të ditur shefi i stafit presidencial për politikat, Kim Yong-beom, pas takimit dypalësh midis Presidentit Lee Jae Myung dhe Donald Trump, zhvilluar në margjinat e samitit të APEC-ut.
Sipas Kim, marrëveshja e re parashikon uljen e tarifave për automjetet koreano-jugore në 15%, duke i barazuar me ato që gëzon Japonia. Po ashtu, është arritur një nivel tarifor më i favorshëm për gjysmëpërçuesit, krahasuar me rivalin rajonal, Tajvanin.
Në qendër të diskutimeve ka qenë edhe paketa e investimeve prej 350 miliardë dollarësh që Trump kishte kërkuar më herët. Nga kjo shumë, 200 miliardë dollarë do të jepen në para të gatshme, ndërsa 150 miliardë dollarë do të investohen përmes bashkëpunimeve në ndërtimin e anijeve, që do të udhëhiqen nga kompanitë koreano-jugore.
“Investimet do të shpërndahen gjatë disa viteve, me një kufi prej 20 miliardë dollarësh në vit, në varësi të progresit të biznesit”, tha Kim, duke theksuar se kjo skemë do të ndihmojë në menaxhimin e ndikimit mbi tregun e këmbimit valutor, një nga shqetësimet kryesore të Seulit.
Marrëveshja e re shihet si një hap i madh drejt forcimit të partneritetit ekonomik SHBA–Kore e Jugut, pas muajsh negociatash intensive dhe debatash për balancën tregtare ndërmjet dy vendeve.
Top Channel