Inside Story/ ‘Tmerri mbi tokë’, pamjet e katastrofës mjedisore në grykëderdhjen e Ishmit
Këto pamje skandaloze, janë bërë aq të zakonshme, sa nuk i bëjnë më përshtypje askujt. Vetëm në muajt e verës, vatrat e zjarrit u aktivizuan 4 herë. Tymi toksik që dilte nga fusha e vjetër e mbetjeve pushtoi Vlorën e dorëzuar ndaj një fenomeni që zgjat pafundësisht.
Dy dekada më parë, Yllka Zanaj, u shpërngul nga fshati, për tu vendosur në periferi të Vlorës, shumë pranë vendgrumbullimit të vjetër të mbetjeve. Por, familja e saj dhe gjithë banorët përreth përballen me një situatë të vështirë: pa ujë, pa rrugë dhe me malet e mbeturinave në pragun e shtëpisë.
“Kur digjen mbeturinat ne futemi këtu brenda, ndezim edhe kondicionerin dhe le të flasë kush të dojë jashtë, nuk dalim dot, deri sa të vijnë ta fikin”, u shpreh banorja e zonës, Yllka Zanaj.
Për shkak të ndotjes së lartë të ajrit, dritaret dhe grilat e banesave në këtë zonë nuk hapen asnjëherë. Madje ka nga ata që i kanë vënë në shitje banesat. Yllka kujton se la fshatin për një jetë më të mirë, por si shpërblim ka marrë një barrë me sëmundje.
“Po ku do ti hapësh dritaret këtu. Zjarret kanë qenë që prej 20 vitesh, edhe derrat që vemi ne konsumojmë ne mishin e derri, kancer janë si derrat edhe tymi. Unë po më pickoj një mushkonjë, me vjen frikë të vij, jam alergjike edhe nga tymi edhe nga mushkonjat kisha probleme me frymëmarrjen, nuk merrja dot frymë, jetë skandaloze. Futet tymi”, u shpreh Yllka Zanaj.
Ajo rrëfen se mjedisi që i rrethon ka ndikuar edhe në shëndetin e të nipit 6-vjeçar, të cilit ia kanë ndaluar të dalë jashtë oborrit të shtëpisë. Një jetë si të burgosur nga plehrat që ndodhen shumë pranë zonës turistike në bregdetin e Pyllit të Sodës.
“Absolutisht nuk e lëmë. E fusim brenda, e mbyllim me çelës se do të dalë, por ne nuk e lëmë. Ku do të shkojë. Ai është alergjik. Kjo lagje këtu është harruar nga të gjithë. Vijnë për vota, krenohen dhe na lënë kështu, një fshat që duket s’do kallauz, Rama e di shumë mirë, Dredha e dinte shumë…ja ku është, çfarë ka për të fshehur këtu”, u shpreh ajo.
Top Channel