Një shtetas shqiptar është dënuar me 6 vite burg në Mbretërinë e Bashkuar, pasi falsifikoi dokumente për të ndihmuar në mënyrë të paligjshme dhënien e shtetësisë britanike për tetë fëmijë shqiptarë.
28-vjeçari Gerald Cera, pjesëtar i një grupi kriminal, u shpall fajtor për konspiracion për ndihmën e imigracionit të paligjshëm, pasi pretendoi se ishte babai biologjik i tetë foshnjave në aplikimet për pasaporta britanike midis shtatorit 2022 dhe gushtit 2024.
Hetimet zbuluan se Cera kishte dërguar fotografi të sajuara ku shihej duke mbajtur në krahë foshnjat, si dhe kishte përdorur dokumente personale origjinale, përfshirë pasaportën dhe certifikatën e tij të natyralizimit në Mbretërinë e Bashkuar. Pagesat për aplikimet ishin bërë përmes kartave bankare dhe adresave të emailit që mbanin emrin e tij.
Në seancën gjyqësore të mbajtur në St Albans Crown Court, gjykata e cilësoi mashtrimin si një skemë me “nivel të lartë planifikimi dhe sofistikimi”. Përveç burgimit, Cera është privuar edhe nga shtetësia britanike nga Ministria e Brendshme.

Sipas autoriteteve britanike, të gjitha pasaportat e fëmijëve të përfshirë janë anuluar. Gjatë hetimeve doli gjithashtu se Cera ishte mik me Petrit Musa, një tjetër shqiptar që muajin e kaluar pranoi fajësinë për mashtrimin me 13 raste të ngjashme të pasaportave për fëmijë shqiptarë.
Cera u arrestua në aeroportin e Lutonit më 16 shkurt 2025, ndërsa refuzoi të jepte kodet e aksesit për telefonin dhe laptopin e tij, duke u dënuar edhe për mosbashkëpunim me policinë.
Prokurorja e çështjes, Roma Karampatsi, tha se rrëfimet e tij gjatë hetimit ishin “plot kontradikta”, duke theksuar se veprimet e tij “cenojnë integritetin e sistemit të imigracionit britanik dhe dëmtojnë ata që kërkojnë të hyjnë ligjërisht në vend”.
Ndërkohë, ministri britanik për Sigurinë e Kufijve dhe Azilin, Alex Norris, përshëndeti vendimin: “Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq ndërsa bandat kriminale abuzojnë me sistemin tonë të imigracionit duke shfrytëzuar fëmijët për përfitime financiare. Këto dënime tregojnë se kushdo që përpiqet të manipulojë kufijtë tanë, do të përballet me drejtësinë.”
Top Channel