ZeqiLandi i Ramës, AlbDheu i Kurtit e përgjithmonë Berisha në mes

28/10/2025 23:21

Nga Lorenc Vangjeli

Eshtë e pamundur t’i shpjegosh një të riu shqiptar të Gjeneratës Z çdo të thotë që kur shkojë dikur të blije një bukë masive pesë lekëshe në Tiranë, shitësja të jepte me detyrim edhe 20-30 qindarka bukë misri. Po kaq e pamundur është që të shpjegohet në epokën dixhitale se pse gjimnazisti i viteve 80-të, për të mbërritur në zemrën e vajzës më të bukur të klasës paralele, në fillim duhet të fitonte zemrën e shoqes së saj të ngushtë. Që si rregull ishte më pak e hijshmja e të njëjtës klasë. Dhe që pastaj fillonte një sagë e gjatë shëtitjesh treshe deri në momentin që duhej t’i mbushje mendjen bukuroshesh për të dalë së paku njëherë çift.

Rama e Berisha, dy burrat e thinjur që qeverisin njëkohësisht Gjeneratën Z dhe gjyshërit e këtij brezi, nuk i kanë shpëtuar kësaj rregullsie që vjen e diktuar nga e shkuara e tyre. Të votosh Ramën në zgjedhjet e përgjithshme, merr si bukën e dikurshme të misrit edhe Zeqinenë e tij. E bashkë me të, edhe një buqetë hokatare personazhesh anonimë që me politikën kanë shkusinë mes djallit me temjanin. Një prototip nëpunësi parlamentar apo administratori qeveritar që në një Shqipëri normale, nuk mund të ishte më shumë se një sekretar topolak në bashkinë e Maliqit. Brezi i vjetër i PS-së së rilindur nga gërmadhat e partisë komuniste të Hoxhës, i përbërë kryesisht nga akademikë e intelektualë, nga më të zëshmit e kohës së tyre, ka dalë prej kohësh në pension; ata që solli në parti Fatos Nano, një pjesë edhe ata vetë prurje thellësisht personale të tij, gjithashtu kanë kaluar në harresë, kurse brezi i politikanëve që sollën vetë Ramën në pushtet në 2013-ën, kanë harresën sërish si adresë përfundimtare. Ndërkohë që kishte premtuar se do të rilindte Shqipërinë, Rama në fakt ka rishpikur nga e para partinë e tij. E ka shndërruar atë nga një organizatë politike, në një makineri teknike elektorale që shërben vetëm për fushata zgjedhore. Rama me të tjerë bën beteja dhe me të tjerë qeveris dhe transferon pushtet. ZeqiLandi i tij tashmë njehsohet pa asnjë dyshim me atdheun që i nënshtrohet vizionit, tekave, dëshirave dhe vullnetit të plotë të kryeministrit. Janë bërë një dhe njësh të dy. 

Sali Berisha, ish-komunisti i fundit i Evropës Lindore që ende qeveris opozitën në Shqipëri, ndërkohë që kolegët e tij të “revolucioneve antikomuniste” kanë dalë me kohë nga skena, është i vetmi që premton rikthim në pushtet për herë të tretë edhe katër vite më pas. Politikan race, dinak si Makiaveli e njëkohësisht Princ makiavelik, frut i fatit dhe sakrificës së epërme vetjake, Berisha është binjaku i Ramës në të njëjtin dyqan komunist e të varfër buke. Të votosh për Berishën merr njëkohësisht, si bukë misri apo atë shoqen e tretë të gjimnazit të dikurshëm, edhe shpurën pa portret të besnikëve të tij. Përgjithësisht një brez të fosilizuar që rrjedh nga rangu i tretë i nëpunësve të qeverisjes së tij deri në vitin 2013. Qëndrestarët e tij të viteve të hekurta në opozitën 1997-2005 nuk i kujton më askush, pjesa dërmuese e KOP-it të famshëm që ndihmoi në ardhjen e tij në pushtet, tashmë është përzënë bashkë me Lulzim Bashën. Prurjet e reja që ai vetë bëri në dy mandate, të rinj që janë edhe më të moshuar se ai vetë në mendësi, i ngjajnë njëri-tjetrit si letra bixhozi të të njëjtës ngjyrë. Mes tyre brohoret paketa e nëpunësve parlamentarë, ambiciet e të cilëve peshojnë shumë më shumë sesa masa e tyre në kilogram dhe analfabetë që shkruajnë me gabime drejtshkrimore edhe emrin e tyre. Kjo tipologji që vetëthirret “politikanë”, është e vetmja që di të gjejë shtigjet e duhura drejt zemrës së kardiologut të dikurshëm, që thonë se e urren me shpirt injorancën, por e përdor paditurinë e të tjerëve, si Makbethi kamën e vet. Pohimi se PD është parti personale është një aksiomë që pranohet pa vërtetim. Kur thua PD ke thënë Berisha, kur thua Sali, ke thënë PD! Voto Berishën dhe si ofertë ke edhe bukën e hidhur të misrit. 

Shqiptari i tretë i famshëm është Albin Kurti. I riu i dikurshëm kontrovers e rebel, një përzjerje e rrëmujshme mes thelbit neomarksist, anarkistit antisistem dhe idealistit pragmatist që shet moral, është shndërruar në vitet e pushtetit vetjak në Prishtinë, sipas bindjes së tij, në ofertën e vetme morale për qeverisjen e Republikës së Kosovës. Më shumë se tetë muaj nga zgjedhjet e përgjithshme, Kurti si triumfues i tyre, është përgjegjësi kryesor për krizën qesharake politike në Kosovë. I bindur se “Ai është Kosova”, Kurti beson gjithashtu se pa të nuk ka as Kosovë dhe as të nesërme në Kosovë. E megjithë këtë, me legjitimitet moral e institucional diku tek gjunjët e tij, në këto tetë muaj, ai hap dhe mbyll në gjunjë derën e zyrës së kryeministrit në detyrë, me një plan të qartë egoist e iracional: Ose i merr të gjitha, ose Kosova do të detyrohet të zvarritet gjithashtu drejt një skenari zgjedhjesh të parakohshme. Zgjedhje që ai e di mirë që nuk do të prodhojnë me të gjitha gjasat, një zgjidhje të paqëndrueshme. Trajektorja e revolucionarit të dikurshëm që betohej për Vetëvendosje, që nuk njihte himnin dhe flamurin e Republikës, e ka futur vendin në një spirale armiqësisht që nisin me Tiranën e përfundojnë me Uashingtonin e Brukselin. “Mbas meje qameti!”, është në fakt çfarë do të ndodhë nga çimentimi i partisë personale, është zgjedhja që mbetet mes fatit personal të Kurtit dhe atij të Kosovës. Një zgjedhje  që në gjuhën e kryeministrit në detyrë, tashmë mund të quhet AlbDheu i Kurtit. Krenar, por në gjunjë dhe me bukë misri në tryezë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta