Nuk ndalet kanabisi, qindra kilogramë kapen nga policia greke, transportoheshin nga Shqipëria

28/10/2025 17:21

Sekuestrimi i 193 kilogram kanabis në Janinë që dyshohet se u nis nga Shqipëria, një ditë më parë është dëshmia e fundit se kanabisi vijon të jetë një histori shqiptare dhe se kjo linjë trafiku mes dy vendeve muajt e fundit është intensifikuar.

Kur policia iu vu pas, autori braktisi mjetin dhe drogën në të dhe u largua në drejtim të paditur. Edhe para  një jave policia greke ndërhyrë  në një tjetër rast të tentativës për të trafikuar me skaf 135 kilogram kanabis që dyshohet se ishte nisur nga Saranda.

Në këtë rast në pranga ra vetëm skafisti Edmond Musa. Të dyja rastet janë nën hetim si nga pala shqiptare dhe ajo greke për të gjetur përgjegjësit.

Sipas të dhënave të policisë greke, vetëm në dy muajt e fundit, janë sekuestruar rreth 435 kilogramë marijuanë që dyshohet se vinin nga Shqipëria. Rastet janë regjistruar në Selanik, Kostur, Janinë dhe Igumenicë.

Ndërkohë që policia greke raporton se muajt e fundit ka sekuestruar qindra kg kanabis që dyshohet se vinte nga Shqipëria në palën shqiptare situate është më e relaksuar. Në operacionet pranë kufirit policia ka sekuestruar vetëm dhjetëra kg. Top Channel mëson se nga fillimi i vitit deri këtë shtator janë sekuestruar 972 kg kanabis.

Rasti më i fundit ishte i policisë së Korçës këtë të dielën ku policia ndërhyri në fshatin Vishocicë të Devollit dhe sekuestroi 16 kg kanabis që do të trafikohej drejt Greqisë nga Julian Belortaja i cili u vu në pranga ndërsa bashkëpunëtori i tij Danjel Mete u shpall në kërkim.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta