“Na fike!”/ “Merr çelësat e makinës dhe ik”, çfarë bëri Elvis Shkambi menjëherë pasi qëlloi me armë gjyqtarin Astrit Kalaja, zbardhet dosja hetimore

28/10/2025 15:00

Top Channel ka zbardhur dosjen hetimore ndaj autorit të dyshuar të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, brenda sallës së Gjykatës së Apelit Tiranë, më 6 tetor.

Në dosjen e siguruar nga gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, 30-vjeçari Elvis Shkambi ka rrëfyer të gjithë ngjarjen, teksa se aktin e rëndë e ka ndërmarrë pasi ka menduar se i është bërë padrejtësi nga ana e gjyqtarit, pas shpalljes së vendimit për procesin gjyqësor të pronësisë.

Sipas dosjes së lexuar nga Top Channel, Shkambi ka deklaruar pasi ka qëlluar me armë gjyqtarin, është larguar nga salla dhe armën ia ka dorëzuar punonjësit të sigurisë në këtë gjykatë, por pa i thënë se kishte kryer vrasjen.

Më pas i ka dhënë çelësat e makinës së tij xhaxhait, dhe i ka kërkuar që të largohet pasi nuk kishte lidhje me veprimin e tij.

Ai thotë se në momenti që ka kryer vrasjen, xhaxhai ka qenë në krah të tij dhe ka mbetur i shokuar, dhe se i ka thënë: Na fike!

Sipas Elvis Shkambit, as xhaxhai dhe as roja e sigurisë nuk e kanë përkrahur apo ndihmuar në vrasjen që kreu.

Ndërkohë, pas krimit ai ka qëndruar në ambientet e jashtme të Gjykatës së Apelit, bashkë me xhaxhanë që nuk ka pranuar të largohet, dhe kur efektivët e policisë kanë mbërritur ai i ka thirrur dhe u ka thënë se ka kryer vrasje.

Në lidhje me armën, ai ka deklaruar se posedonte pa leje që prej dhjetë vitesh, por pa e përdorur asnjëherë më parë, dhe se e mbante për vetëmbrojtje.

Në dëshminë e tij ka deklaruar se kur ka shkrepur armën drejt gjyqtarit, ndaj tij ka ndjerë urrejtje të madhe për vendimin që dha duke e konsideruar të padrejtë, por shton se pasi ka logjikuar ndaj asaj që bëri, nuk ka qëlluar më ndaj gjyqtarit, ‘duke e lënë të gjallë në sallë’.

Shkambi shprehu pendesë para autoriteteve dhe se nuk dëshironte që çështja të shkonte kështu, por se e gjitha ka ndodhur nga një çast tronditjeje.

Ai deklaroi se më herët kishte njoftuar edhe Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorinë e Përgjithshme, për t’i thënë se për çështjen në fjalë, ndaj familjes së tij po bëhej padrejtësi.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta