“Lufta për liri nuk është krim”/ Gjyqi ndaj Hashim Thaçit, Rama: Shpëtimtarët e Kosovës paraqiten në një gjykatë të dalë nga objekti

28/10/2025 10:51

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër në lidhje me gjyqin ndaj Hashim Thaçit, duke theksuar se lufta për liri nuk është krim.

Ai shkruan se “është e tmerrshme ta mendosh se shpëtimtarët e Kosovës duhet të paraqiten para një gjykate të dalë nga objekti për të cilin u ngrit”.

“A nuk është e tmerrshme ta mendosh se shpëtimtarët e një kohe kur vetë ekzistenca e Kosovës ishte në tehun e thikës së gjatë të padrejtësisë historike ndaj shqiptarëve, duhet të paraqiten para një gjykate të dalë krejt nga objekti për të cilin u ngrit, për të dëshmuar se lufta për liri nuk është krim, se rebelimi ndaj një diktature nacional-socialiste nuk është faj, se shteti i ri e sovran i Kosovës nuk ka dalë nga barku i një ndërmarrjeje kriminale, po nga gjaku i një ushtrie çlirimtare?!

Çfarë turpi për drejtësinë ndërkombëtare dhe edhe më zi për shqipsharësit digjitalë, tifozë të verbuar prej budallakisë kinse patriotike, që edhe mbrapa hekurave të kësaj padrejtësie ulëritëse, e shohin dhe trajtojnë Hashim Thaçin si armik politik, e urojnë të mos dalë më kurrë prej aty; ndërkohë që kur atyre t’u jetë harruar nami e nishani dhe asaj gjykate t’i ketë mbetur vetëm njolla e turpit të historisë, emri i Hashimit do të mbetet përgjithnjë si emri i njeriut që u bë njësh me fatin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës“, shkruan Rama.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta