EMRAT/ SPAK godet korrupsionin në sistemin e drejtësisë, gjashtë të pandehur për ndikim të paligjshëm dhe shpërdorim detyre

28/10/2025 14:51

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar  ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë kërkesën për gjykim ndaj shtetasve: Musa Gjikola, Klodjan Muça, Sokol Masha, Erjon Dani, Emiljano (alias Millan) Roçi dhe Vilson Roçi, të cilët akuzohen për ndikim të paligjshëm dhe shpërdorim detyre.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se gjatë vitit 2020, të pandehurit janë përfshirë në tre episode të veçanta, ku kanë kërkuar dhe përfituar shuma monetare që varionin nga 4 000 deri në 7 500 euro, me pretendimin se kishin aftësinë për të ushtruar ndikim të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë, me qëllim ndikimin në masa sigurimi personal dhe favorizim në dhënie dënimi ndaj disa të arrestuarve.

Gjithashtu, është provuar se i pandehuri Erjon Dani, në kohën e ngjarjeve me detyrë zëvendësshef komisariati dhe shef për krimet në Komisariatin Nr. 3 Tiranë, ka shpërdoruar detyrën duke shpërndarë tek persona të tretë të dhëna të siguruara nga sistemi TIMS.

Hetimet kanë dokumentuar se të pandehurit kanë bashkëpunuar dhe koordinuar veprimet përmes komunikimeve në platformën e enkriptuar “Sky ECC”, të cilat janë administruar nga autoritetet franceze të drejtësisë në kuadër të ndihmës së ndërsjellë juridike ndërkombëtare.

Ky procedim penal është ndarë nga procedimi penal nr. 177 i vitit 2023, për të cilin vijojnë hetimet ndaj disa personave të tjerë nën hetim, të dyshuar për veprat penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”, “ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “grupit të strukturuar kriminal”.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta