Biznesmen deri në fund, Trump në Japoni: Firmos ujdi për mineralet e rralla

28/10/2025 12:27

Donald Trump e ktheu në një mundësi të artë biznesi vizitën e tij në Japoni.

Teksa lavdëroi së bashku me kryeministren e re Sanae Takaichi, “epokën e artë” të raporteve mes vendeve, dy liderët nënshkruan një marrëveshje që synon t’i sigurojë Uashingtonit minerale të rralla.

Takaichi – gruaja e parë kryeministre në Japoni – lavdëroi Trumpin dhe njoftoi se do ta nominojë atë për Çmimin Nobel për Paqe, pohoi Shtëpia e Bardhë.

Në këmbim, Trump, i cili u takua për herë të parë me Takaichin gjatë turneut të tij në Azi, tha se Uashingtoni është aleat “i nivelit më të fortë të mundshëm”.

“Është një nder i madh të jem me ju, veçanërisht kaq herët në atë që mendoj se do të jetë një nga kryeministret më të mira”, i tha Trump Takaichit në pallatin shtetëror Akasaka.

Marrëveshja mes dy palëve synon “forcimin e qëndrueshmërisë dhe sigurisë së zinxhirëve të furnizimit me minerale kritike dhe elemente të rralla tokësore”, u tha në deklaratë.

Pekini këtë muaj njoftoi kufizime të gjera në industrinë e elementeve të rralla, gjë që e shtyu Trumpin që të paralajmëronte se si kundërpërgjigje do t’i vendosë tarifë prej 100 për qind importeve nga Kina.

Presidenti amerikan mbërriti në Japoni të hënë dhe gjatë turneut në Azi pritet të takohet edhe me homologun kinez, Xi Jinping, takim që mund të ndihmojë në tejkalimin e luftës tregtare mes dy vendeve.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta