Azilkërkuesit do të largohen nga hotelet në Britani, qeveria gati të zhvendosë 900 emigrantë në qendrat ushtarake

28/10/2025 11:29

Azilkërkuesit do të strehohen në qendrat ushtarake në Mbretërinë e Bashkuar, pasi qeveria synon të mos i përdori më hotelet e kushtueshme për akomodimin e emigrantëve.

Kryeministri Sir Keir Starmer i ka udhëzuar zyrtarët e Ministrisë së Brendshme dhe të Mbrojtjes që të përshpejtojnë punën për të gjetur vendet e duhura ushtarake, për strehimin e 900 azilkërkuesve.

Emigrantët do të vendosen në kampet e stërvitjeve ushtarake deri në fund të muajit të ardhshëm, kjo sipas planeve që po hartohen nga ministrat.

Qendrat ushtarake nuk janë akomodime luksoze, por do të përmbushin standardet e shëndetit dhe sigurisë për kushtet e duhura të strehimit.

“Kjo do të na mundësojë të lehtësojmë presionin mbi kompleksin e hoteleve të azilit dhe të mundësojmë që ato të mbyllen me një ritëm më të shpejtë”, tha Ministri i Mbrojtjes, Luke Pollard.

Pollard nuk dha detaje se sa azilkërkues do të zhvendosen ose kur do të ndodhte kjo, por do të ketë angazhim të mjaftueshëm me autoritetet lokale dhe masa të përshtatshme sigurie për te strehuar emigrantët.

Ministrat po shqyrtojnë gjithashtu vendet industriale, akomodimet e përkohshme dhe ato të papërdorura për të strehuar azilkërkuesit.

Rreth 32 mijë azilkërkues po qëndrojnë aktualisht në hotele dhe sipas një raporti u zbulua se miliarda para të taksapaguesve janë përdoruar për azilkërkuesit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta