Angli/ Shqiptari 26 vite betejë ligjore, mashtroi në marrjen e pasaportës britanike. Zbulohet vendimi i gjykatës

28/10/2025 18:57

Një emigrant shqiptar, i cili kishte mashtruar Ministrinë e Brendshme britanike për identitetin e tij, ka fituar të drejtën për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar pas një beteje ligjore që zgjati plot 26 vjet.

Sipas The Telegraph që i referohet Top Channel, Gentian Hoti ka fituar të drejtën për t’u bërë shtetas britanik, në atë që konsiderohet si një nga rastet më të gjata ligjore të emigracionit në historinë e Mbretërisë së Bashkuar.

Gjykata dëgjoi se 41-vjeçari, në vitin 1999, mbërriti në Britani në moshën 15-vjeçare dhe kërkoi azil duke pretenduar se ishte nga Kosova dhe se kishte lindur në vitin 1985, ndërsa në të vërtetë kishte lindur në vitin 1984 në Shqipëri.

Në dokumentet e paraqitura në tetor 1999, ai kishte duklaruar se ishte viktimë e autoriteteve serbe në Kosovë dhe se ishte ndarë nga familja e tij gjatë arratisjes nga rajoni.

Në nëntor të po atij viti, kërkesa e tij për azil u refuzua, por iu dha leje e jashtëzakonshme për të qëndruar deri në nëntor të vitit 2003. Më pas, ai u vu nën kujdesin e autoriteteve lokale dhe në vitin 2004 mori leje qëndrimi me afat të pacaktuar.

Në vitin 2005, Hoti mori shtetësinë britanike, por në vitin 2010 nisi një hetim për identitetin e tij. Në shkurt të vitit 2013, ai u njoftua se natyralizimi i tij ishte i pavlefshëm. Pas disa komunikimeve dhe hetimeve, në qershor 2019 Sekretari i Shtetit i hoqi shtetësinë britanike me arsyetimin se kishte përdorur “një identitet të rremë” që prej mbërritjes në Britani.

Hoti e apeloi vendimin në vitin 2019 dhe, pas një procesi të gjatë në disa shkallë gjyqësore, një gjyqtar pranoi apelin e tij duke konstatuar se që nga viti 2013 ai kishte pranuar plotësisht origjinën e tij shqiptare.

Në përfundim, gjykata vendosi në favor të Gentian Hotit, duke i dhënë atij të drejtën për të mbajtur shtetësinë britanike, pas një beteje ligjore që zgjati më shumë se çerek shekulli.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta