Agresioni rus, Zelensky: Kemi nevojë për mbështetjen evropiane dhe për dy-tre vjet luftime

28/10/2025 13:10

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se shteti i tij ka nevojë për ndihmë financiare të Evropës për të vazhduar luftën kundër forcave ruse për dy apo tre vjet të tjera.

Kievi është varur kryesisht nga mbështetja ushtarake dhe financiare e aleatëve për të mbajtur nën kontroll ushtrinë e Moskës, e cila nisi pushtimin e plotë të shtetit fqinj në shkurt të vitit 2022.

“Unë e theksova këtë përsëri për të gjithë udhëheqësit evropianë. U thashë atyre se ne nuk do të luftojmë për dekada, por ju duhet të tregoni që për një kohë do të mund të siguroni mbështetje të qëndrueshme financiare për Ukrainën”, tha Zelensky në komente të publikuara të martën.

“Dhe pikërisht për këtë ata kanë këtë program në mendje – 2-3 vjet”, tha Zelensky, duke iu referuar planeve të Brukselit për të përdorur asetet e ngrira ruse për të ndihmuar Kievin.

Javën e kaluar, udhëheqësit e Bashkimit Evropian e ngarkuan Komisionin Evropian të vazhdojë me opsionet për financimin e Ukrainës për dy vjet të tjerë, duke lënë hapur mundësinë për një kredi të madhe që do të përdorte disa dhjetëra miliarda euro nga asetet shtetërore ruse që Brukseli i ka ngrirë.

“Nëse lufta përfundon brenda një muaji, do t’i shpenzojmë këto para për rikuperim. Nëse nuk përfundon brenda një muaji, por pas një kohe, atëherë do t’i shpenzojmë për armë. Thjesht, nuk kemi zgjedhje tjetër”, shtoi Zelensky.

Selia qendrore e kompanisë së tregjeve financiare, Euroclear, në Bruksel, ku gjenden më shumë se 200 miliardë dollarë asete të ngrira shtetërore ruse.
SHIKONI EDHE:
Brukseli mund t’i shfrytëzojë asetet ruse në vlera milionëshe si hua për Ukrainën
Udhëheqësi ukrainas po ashtu bëri thirrje që presidenti amerikan, Donald Trump, që t’i ushtrojë presion homologut kinez, Xi Jinping, që të ndërpresë mbështetjen për Rusinë kur të takohet me të më vonë këtë javë.

“Mendoj se kjo mund të jetë një nga lëvizjet e forta të [Trumpit], veçmas nëse, pas këtij hapi vendimtar të sanksioneve, Kina është gati të reduktojë importet” nga Rusia, tha Zelensky për gazetarët, përfshirë AFP, gjatë një konference për gazetarë, komentet nga e cila u publikuan më 28 tetor.

Javën e kaluar, Trump vendosi sanksione ndaj dy kompanive kryesore të naftës ruse dhe udhëheqësi amerikan ka bërë thirrje që blerësit e energjisë ruse – konkretisht Kina dhe India – të ndalin blerjet, pasi të ardhurat nga energjia, sipas Uashingtonit dhe Kievit, po e financojnë luftën kundër Ukrainës.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta