2165 kafshë të asgjesuara nga murtaja dhe zero dëmshpërblim, këto janë shifra që la pas murtaja e ruminatëve të vegjël.
Ministria e Bujqësisë prej disa muajsh ka bërë fushë ndërgjegjësimi për sa i përket skemës dhe të investimeve apo kredisë butë, por nuk ka nguruar që të fusë në një prej masave dëmshpërblimin për kafshët e asgjesuara nga vetë shteti.
Prej dy muajsh, në vendin tonë nuk ka asnjë vatër të re murtaje. Për këtë arsye, prej disa ditësh burime për Top Channel bëjnë më dije se në zyrën e ministrit ka mbërritur një kërkesë nga AKVMB, ku kërkohet që Shqipëria të shpallet si vend i pastër nga sëmundja e murtajës së ruminatëve të vegjël.
E ndërsa deri më tani dihej vetëm numri i kafshëve të eliminuara, nga ana tjetër fermerët ende nuk kanë mësuar nëse do të dëmshpërblehen për kafshët e prekura nga sëmundja e rrezikshme, e cila në territorin tonë hyri nga bagëtitë e importuara nga Rumania, të cilat në Shqipëri futeshin me certifikatë shëndetësore të falsifikuar, por që në të vërtetë rezultuan të infektuara me këtë sëmundje.
Nëse bëjmë një llogari të thjeshtë, kostoja e 2165 deleve dhe dhive të prekura nga murtaja, nëse vlerësohen me çmimin e tregut, do t’i kushtojë buxhetit të ministrisë 54,125,000 lekë. Ndërsa për blegtorin, pasojat ekonomike janë edhe më të mëdha se kaq, sepse prej afro 6 muajsh ata nuk kanë shitur asnjë kg bulmet dhe asnjë kafshë të gjallë, sepse murtaja i vendosi drynin stallave me dele dhe dhi.
Për disa blegtorë, të ardhurat e vetme të familjes siguroheshin nga gjëja e gjallë. Vonesa e dëmshpërblimit ka vendosur në vështirësi të madhe financiare fermerët, të cilët me lot në sy prej muajsh kanë bërë thirrje për ndihmë.
Top Channel