Të përfshirë në lojëra fati dhe ndërhyrje në sistemin ‘E-GJOBA’, vendosen masat e sigurisë për tre policët

27/10/2025 17:16

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, ka ekzekutuar masa sigurie ndaj tre punonjësve të policisë, të dyshuar për përfshirje në aktivitet të paligjshëm të lojërave të fatit dhe shpërdorim detyre.

Hetimet disa mujore kanë zbuluar se efektivët, në bashkëpunim me një shtetas të arrestuar më herët, kanë vënë në dispozicion ambientet e tyre për organizimin e lojërave të palejuara.

Njëri prej policëve dyshohet gjithashtu se ka ndërhyrë pa autorizim në sistemin elektronik “E-GJOBA” për të kërkuar të dhëna automjetesh në shërbim të personave të tretë.

Njoftimi i plotë:

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë), pas një hetimi disa mujor në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka ekzekutuar masat e sigurisë me karakter shtrëngues “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, ndaj 3 punonjësve të policisë.

Ata janë të dyshuar për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit”, e kryer në bashkëpunim, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Inspektori me inicialet H.D, me detyrë në kohën e kryerjes së veprën penale, Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Elbasan, aktualisht me detyrë Trupë Shërbimi i Ruajtjes e Sigurisë së Objektit, në Njësinë e Pritjes dhe Sigurisë Gjadër, inspektori me inicialet G.D, me detyrë në kohën e kryerjes së veprën penale, Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Elbasan, aktualisht me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Kukës dhe inspektori me inicialet E. SH., me detyrë Trup Shërbimi i Trafikut Interurban dhe Urban pranë DVP-Elbasan.

Ekzekutimi i masave të sigurisë u bë i mundur pasi nga hetimet e zhvilluara me metoda speciale, ka rezultuar se punonjësit e policisë në bashkëpunim me shtetasin F.D, i arrestuar në mars të këtij viti kanë vënë në dispozicion ambientet bar-kafe në pronësi të tyre me qëllim organizimin e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit. Ndërsa punonjësi i policisë E.SH,  duke vepruar në mospërmbushje të rregullt të detyrës, ka ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në sistemin elektronik të gjobave “E-GJOBA”, me qëllim kërkimin e të dhënave të mjeteve për llogari të personave të tretë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta