Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, do të bisedojë edhe për sanksionet amerikane ndaj kompanive ruse të naftës gjatë takimit me Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në Uashington javën e ardhshme, tha të hënën ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto.

Trump, i cili është aleat i ngushtë i liderit hungarez, vendosi javën e kaluar sanksione ndaj Rusisë për herë të parë në mandatin e tij të dytë, duke i shënjestruar kompanitë Lukoil dhe Rosneft, në përpjekje për të ushtruar trysni ndaj Moskës që ajo ta pranojë armëpushimin në Ukrainë.

Vendimi i Trumpit ka ngritur dilema për Hungarinë dhe Sllovakinë, pasi ato janë blerëset më të mëdha të naftës ruse në Bashkimin Evropian. Ato gjithashtu kishin siguruar më parë përjashtime nga kufizimet e BE-së.

Orban kishte paralajmëruar qysh në tetor se do ta vizitonte Uashingtonin, dhe kishte thënë se agjenda e bisedimeve ishte caktuar pothuajse plotësisht.

“Sa i përket furnizimit tonë me energji… në gjysmën e dytë të javës së ardhshme ka mundësi që kryeministri ta diskutojë këtë çështje personalisht me presidentin amerikan në Uashington”, tha Szijjarto në një konferencë për shtyp.

Sipas tij, sanksionet e reja amerikane, të cilat hyjnë në fuqi në fund të nëntorit, tani për tani nuk po shkaktojnë probleme apo ulje të importeve të naftës nga Rusia për Hungarinë.

Të premten, Orban tha se Hungaria po punonte për ta gjetur një mënyrë për t’i anashkaluar sanksionet amerikane ndaj kompanive ruse të naftës.

Ai nuk dha hollësi, por as nuk la të kuptohej se synon t’i sfidojë hapur masat.

Orban tha se kishte zhvilluar bisedime me kompaninë kombëtare të naftës dhe gazit të Hungarisë, MOL, lidhur me sanksionet.

Lideri hungarez, i cili përballet me zgjedhje në vitin 2026, ka kultivuar marrëdhënie të forta personale me Trumpin ndër vite.

Qëndrimi i tij i ashpër kundër emigracionit i ka ndihmuar të fitojë mbështetje nga përkrahës të Trumpit në Shtetet e Bashkuara.

Ai tha më herët këtë muaj se gjatë takimit të ardhshëm me Trumpin do të bisedojë edhe për çështje ekonomike.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta