Vjedhja në Muzeun e Luvrit, ADN-ja ‘zhbllokoi’ hetimet dhe zbuloi autorët e grabitjes
Një helikopter i Marinës Amerikane dhe një avion luftarak u rrëzuan të dielën, brenda të njëjtës gjysmë ore, gjatë operacioneve të ndara rutinë mbi Detin e Kinës Jugore.
Flota e Paqësorit njoftoi se të gjithë anëtarët e ekuipazheve u shpëtuan në mënyrë të sigurt.
Marina ka nisur një hetim për të zbardhur shkaqet e dy incidenteve, që ndodhën mbi ujërat strategjike të rajonit — një zonë e konsideruar si një nga pikat më të nxehta të mundshme për konflikt global.
Sipas njoftimit zyrtar, një helikopter MH-60R Seahawk u rrëzua rreth orës 14:45 me orën lokale, “gjatë kryerjes së operacioneve rutinë nga aeroplanmbajtësja USS Nimitz”. Ekipet e kërkim-shpëtimit arritën të nxirrnin të tre anëtarët e ekuipazhit pa lëndime.
Rreth 30 minuta më vonë, edhe një avion luftarak F/A-18F Super Hornet u rrëzua po gjatë një fluturimi rutinë nga e njëjta anije. Dy pilotët u katapultuan dhe u shpëtuan shëndoshë e mirë. Marina shtoi se ky është të paktën i katërti avion luftarak F/A-18, me vlerë rreth 60 milionë dollarë secili, që humbet gjatë këtij viti.
Deti i Kinës Jugore është një zonë me rëndësi jetike për tregtinë ndërkombëtare, por mbetet një nga rajonet më të kontestuara në botë. Kina pretendon pronësinë mbi pothuajse të gjithë rrugën ujore strategjike, pavarësisht një vendimi të gjykatës ndërkombëtare që e kundërshton këtë pretendim.
Gjatë dy dekadave të fundit, Pekini ka forcuar pretendimet e tij territoriale duke ndërtuar baza ushtarake në ishujt dhe shkëmbinjtë nënujorë të kontestuar. SHBA-të e kundërshtojnë këtë veprim, duke argumentuar se dëmton lirinë e lundrimit dhe tregtinë e lirë në rrugët detare ndërkombëtare.
Forcat amerikane mbajnë një prani të qëndrueshme në rajon për të sfiduar pretendimet kineze për sovranitet dhe për të mbështetur aleatët e Uashingtonit në Azi.
Incidenti ndodhi në të njëjtën kohë me turneun diplomatik të Presidentit Donald Trump në Azi, ku ai pritet të takohet këtë javë me udhëheqësin kinez Xi Jinping për bisedime që do të përqendrohen kryesisht në tregti. Marrëdhëniet mes dy vendeve ishin tensionuar javët e fundit, megjithëse Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi të dielën se është arritur një marrëveshje kornizë tregtare përpara takimit Trump–Xi.
Marina Amerikane ka humbur këtë vit edhe dy avionë F/A-18 në Detin e Kuq – njëri u rrëzua në det pas ngritjes nga një aeroplanmbajtëse, ndërsa tjetri pësoi një defekt në sistemin e uljes. Një tjetër avion i këtij tipi u rrëzua në gusht pranë Virxhinias gjatë një fluturimi stërvitor.
USS Nimitz, një nga aeroplanmbajtëset më të mëdha në botë dhe më e vjetra në shërbim aktiv në Marinën Amerikane, pritet të dalë nga përdorimi vitin e ardhshëm.
Top Channel