“Kemi dalë përfundimisht nga çdo listë e zezë”, Ministrja Koçiu: Kriminaliteti në vend, është në rënie

27/10/2025 16:10

Në seancën e sotme të Kuvendit, ku raportonin institucionet e pavarura të ndjekjes penale, Minsitrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu, bëri një vlerësim panoramik të të dhënave kryesore të luftës kundër krimit të organizuar duke u ndalur në shifra konkrete.

Ministrja theksoi se “trendi i kriminalitetit në vend është në rënie në shumë nga treguesit kryesorë”.

Duke u ndalur në të dhënat e 9-mujorit të këtij viti, Koçiu tha se numri i vrasjeve në vend me dashje është shumë më i ulët. Po ashtu edhe tregues të tjerë të ilustrojnë gjendjen e sigurisë në vend flasin për një luftë pa kompromis kundër çdo lloj natyre krimi.

Fjala e plotë e Ministres së Punëve të Brendshme, Albana Koçiu:

Raporti i Prokurorisë së Përgjithshme flet qartë për progresin e realizuar sa i përket luftës kundër krimit në Shqipëri.

Faktet e tij i vendosen narrativës politike së opozitës për një vend të pasigurt. Trendi i kriminalitetit në vend është në rënie në shumë nga treguesit kryesorë.

Niveli i forcës goditëse, i zbulueshmërisë, i hetimit dhe ndëshkimit është qartësisht në rritje. E mbi të gjitha, vullneti për të luftuar krimin në çdo formë në çdo dimension, edhe më i fuqishëm se kurrë më parë. Kemi dalë përfundimisht nga çdo listë e zezë ku kemi qenë të vendosur jo më larg se 10 vjet më parë, përfshirë listat e zeza të korrupsionit, trafiqeve, krimit të organizuar apo krimit të dhunshëm në vend. Dalja nga këto lista është pa dyshim jo vetëm arritje, por edhe arsyeja kryesore pse Shqipëria është sot vendi më i avancuar nga të gjitha vendet e tjera në bisedimet në tryezën e BE.

Duke u ndalur në shifrat gjatë 9-mujorit të këtij viti janë evidentuar 29 vrasje me dashje. Janë shumë në raport me objektivin e padiskutueshëm, që është zero vrasje me dashje, por janë 4-fish më pak se 125 vrasjet e vitit 2012 dhe më pak se 41 vrasje të ndodhura gjatë vitit të kaluar.

Viti 2024 së bashku me vitin paraardhës shënuan rekordin më të ulët të numrit të vrasjeve me dashje në vend dhe ky rezultat është produkt i drejtpërdrejtë i luftës të pandërprerë kundër krimit të organizuar dhe grupeve mafioze që ka sjellë rënie të ndjeshme të kriminalitetit në vend.

Qytetarët sot ndihen më të sigurt dhe kjo vjen gjithashtu si rezultat i fuqizimit të mëtejshëm të kapaciteteve të PSH, reduktimit të kohës së ndërhyrjes dhe prezencës së shtuar në të gjithë territorin e vendit.

Veprat penale kundër jetës e pronës janë gjithashtu në rënie. Plagosja e rëndë si vepër penale ka dy herë më pak raste krahasuar me vitin 2015.

Armëmbajtja pa leje, në dy vitet e fundit, si në vitin 2023 dhe 2024 ka një rekord sa i përket zbulueshmërisë dhe goditjes. Janë 1221 raste të evidentuara në 9-mujorin e këtij viti ndërkohë 1315 raste në vitin 2024.

Siguria në rrugë gjithashtu është rritur, në 10 vjet numri i aksidenteve fatale është reduktuar me 40%, pavarësisht faktit se numri i automjeteve në qarkullimi është dyfishuar.
Sa i përket të dhënave për sekuestrimin apo konfiskimin e pasurive.

Nga një analizë e kryer mbi të dhënat e përcjella nga prokuroritë dhe AAPSK, gjatë vitit 2024, rezultojnë mbi 234 pasuri të sekuestruara në total më vlerë të përcaktuar mbi 290 milionë lekë dhe 48 milionë euro. Janë gjithashtu 89 pasuri të konfiskuara me vlerë mbi 163 milionë lekë.

Këto janë të dhëna që tregojnë se ne po e godasim krimin aty ku dhemb më shumë, te pasuritë dhe asetet e tij. Koha në të cilën një person me precedent kriminal mund të kryente disa vite burg për të gëzuar më pas pasuritë, ka përfunduar një herë e mirë. Sot, kush është pasuruar përmes krimit apo korrupsionit, së bashku me lirinë humbet edhe pasurinë.
Këto janë para të krimit që kthehen në buxhetin e shtetit dhe vendosen në shërbim të qytetarëve. Vija e kuqe që kjo mazhorancë ka vendosur në raport me korrupsionin ka nxitur më tej rritjen e numrit të hetimeve.

I gjithë progresi i realizuar është pranuar gjithashtu edhe përshëndetur qartësisht nga të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë.
Pa dyshim kjo mbështetje është vula më e qartë e besimit që certifikon se Shqipëria është në rrugën e duhur të çrrënjosjes së krimit dhe të korrupsionit.

Gjithashtu dua ta mbyll fjalën time duke theksuar se, pavarësisht arritjeve, ka ende shumë punë për të bërë. Prandaj do të vijojmë të bashkëpunojmë me qytetarët, pikë së pari dhe siguria nuk është vetëm një detyrë që i përket policisë apo institucioneve, por është një detyrë që na përket të gjithëve. Do të vijojmë të përkrahim institucionet e pavarura të hetimit, duke i mbështetur ashtu siç kemi bërë deri më tani në punën e tyre shumë të rëndësishme.

Do të vijojmë të punojmë edhe më ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë për të rritur standardet tona të sigurisë, por edhe për të bërë të mundur që në asnjë cep të botës të mos kemi persona, të cilët kanë shkelur ligjin dhe të cilët nuk raportojnë për shkeljet e tyre.

Ky është zotimi ynë, përpjekja për një Shqipëri evropiane, që është në radhë të parë një përpjekje për një shtet me standarde më të larta sigurie.

Unë jam e sigurt që kemi gjithçka na duhet për të vijuar punët e mira që kemi bërë, duke ecur përpara edhe më shpejt për të bërë Shqipërinë një vend gjithnjë e më të sigurt për të gjithë qytetarët.
Faleminderit.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta