20 ditë nga vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, pavarësisht përpjekjeve individuale, protokolli i kontrolleve në gjykata mbetet i njëjtë.

Edhe pse të gjithë gjyqtarët në mbledhjen e përgjithshme kërkuan rikthimin e policisë brenda ambjenteve, kjo gjë nuk mund të ndodhë pa ndryshuar ligji. Për këtë arsye, Ilir Rusi, kreu i KLGJ, mbajti një takim me prokurorin e përgjithshëm Olsian Çela dhe Ilir Prodën, drejtorin e përgjithshëm të Policisë.

Në një njoftim zyrtar të KLGJ përmendet se të tre zyrtarët kanë rënë dakord për nevojën e ndryshimeve ligjore për sigurinë. Ndërsa jozyrtarisht, iu tha TCH se KLGJ ka propozuar që, ndërkohë që të ndodhin ndryshimet, policia do të trajnojë stafin administrativ të gjykatave të ngarkuara me ligj për të kryer kontrollet e brendshme. Oficerët e rendit, pavarësisht patrullimeve, duhet të kryejnë kontrollin jashtë këtij perimetri dhe të ndërhyjnë vetëm në rast se njoftohen për incidente.

Nga vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjykatës po premtohet se një sërë masash po ndërmerren për të garantuar jetën e gjyqtarëve, prokurorëve, stafit dhe palëve ndërgjyqësore, ndonëse me vonesë. KLGJ ka kërkuar gjithashtu ndihmën e pushtetit lokal për ndërtimin e tetë godinave të reja për gjykatat në rrethe të cilësuara jashtë standardeve dhe dy të tjera në Tiranë, njëra për apelin dhe tjetra për gjykatën e shkallës së parë”, raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.

Pas vrasjes u numërua një shifër e lartë deklaratash zyrtare me kërkesën për protokoll fiks të sigurisë. Ndërkohë, vrasësi i gjyqtarit Elvis Shkëmbi nuk e ka apeluar masën e arrestit me burg. Të hënën, në të njëjtën gjykatë ku ndodhi krimi, kthehet me kërkesën për të hequr masën e shkallës së parë xhaxhai i tij, Gjon Shkëmbi. Po ashtu, punonjësi i sigurisë, Banush Koxhaj, i dyshuar se shpërdoroi detyrën duke mos kontrolluar dhe vlerësuar alarmin e detektorit që tregoi se vrasësi po hynte me një pistoletë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta