Gara për Bashkinë e Tiranës, Manastirliu me gratë e Njësisë nr. 9: Plani ynë Tirana 2030, një qytet që kujdeset për fëmijët dhe familjet

24/10/2025 11:08

Kandidatja e Partisë Socialiste për Kryetare të Bashkisë së Tiranës, Ogerta Manastirliu, në vijim të takimeve me banorët e qytetit për të ndarë vizionin e saj për Tiranën 2030, zhvilloi një bashkëbisedim me gratë dhe vajzat e Njësisë nr. 9.

Në këtë takim, Manastirliu theksoi rëndësinë e forcës së komuniteteve dhe të punës së përbashkët për të ndërtuar një qytet më të drejtë dhe më gjithëpërfshirës.

E di mirë se çfarë nevojash ka Tirana. Besimin ua kërkoj Njësisë 9, të gjithë qytetarëve të Tiranës, për disa arsye. Unë besoj te përbashkimi, te fuqia e bashkimit të njerëzve të zakonshëm edhe te ndryshimi që ata sjellin kur bëhen bashkë. Unë besoj tek puna, edhe mendoj që nëse ka një fije lidhëse te të gjithë ata që e duan familjen, e duan shoqërinë dhe duan edhe vendin e tyre, fija lidhëse është puna. Unë besoj te punët e vogla, sepse janë ato që i bëjnë punët e mëdha dhe mbi të gjitha, besoj fort tek bashkëpunimi. Duhet të kujdesemi për çdo njeri të këtij qyteti, duhet të kujdesemi për fëmijët tanë, për të siguruar një të ardhme më të mirë, duhet të kujdesemi për gratë dhe vajzat tona, për familjet, prindërit, duhet të kujdesemi për të moshuarit, duhet të kujdesemi për ata të cilët kanë më shumë nevojë, për personat me aftësi të kufizuar.”, tha Manastirliu

Duke folur për filozofinë që udhëheq vizionin e saj për Tiranën 2030, Manastirliu u ndal te Rilindjen Urbane 2.0.

“Ky operacion që po ndodh sot në Tiranë, i çlirimit të hapësirave publike, nuk është asgjë tjetër veçse një përpjekje madhore dhe më besoni, është një përpjekje madhore për t’i kthyer hapësirat njerëzve. Jo vetëm do t’ia kthejmë, por do të bëjmë të mundur që në çdo lagje, aty ku rriten komunitetet, aty ku zhvillohen mendjet dhe rriten njerëzit, të krijojmë hapësira që nxisin bashkëjetesën, kulturën dhe qytetarinë. Ne duhet të fillojmë punën nga lagjet, dhe lagjet duhet tashmë t’i riorganizojmë me modelet më të mira. Kemi një plan për Tirana 2030 do të jetë qyteti ku jo vetëm Rilindja Urbane 2.0 do ta ketë shndërruar qytetin dhe lagjet e tij në hapësira që i shërbejnë njerëzve, por edhe në zona ku ne kalojmë kohën më të madhe. Është pikërisht ky “kati zero”, kati përdhe. Aty takohemi, aty pimë kafen, aty ndajmë hallet, shqetësimet, gëzimet, ndajmë përvojat me njëri-tjetrin. Ai “kati zero” është kati më i rëndësishëm i shtëpisë sonë të përbashkët Tiranës dhe ky është kati për të cilin duhet të kujdesemi më shumë, nga pastrimi te gjelbërimi, nga këndet e lojërave te aktivitetet kulturore në çdo lagje.”, tha Ogerta Manastirliu. Kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, theksoi se programi i saj për Tiranën 2030 synon mbështetjen e çdo komuniteti, në bashkëpunim me qeverinë dhe me qytetarët.

Komunitetet kanë nevojë të mbështeten më shumë dhe unë bashkë me ju, bashkë me skuadrën, do të bëjmë të mundur që Rilindja Urbane 2.0 të shkojë në çdo lagje dhe në zemër të çdo komuniteti. Jam e bindur që, duke qenë bashkë në bashki dhe të mbështetur nga qeveria ne mund të bëjmë punë të mëdha në këto vite drejt 2030-ës, për t’i parë dhe për t’i pasur sa më të prekshme rezultatet e kësaj pune që do ta bëjmë së bashku”, shton më tej.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta