‘Prodhimi i kokainës është rritur ndjeshëm që kur ai mori detyrën’, SHBA-ja vendos sanksione ndaj presidentit kolumbian
Pas muajsh rezistence, Presidenti amerikan Donald Trump anuloi planet për mbajtjen e një samiti paqeje me Vladimir Putinin në Budapest dhe vendosi sanksionet e para të drejtpërdrejta ndaj Rusisë, duke përmendur “nevojën për veprim”.
Sipas raportimeve të Bloomberg, ky ndryshim erdhi pas vlerësimit të Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, se Rusia nuk kishte bërë asnjë ndryshim të rëndësishëm në qëndrimin e saj, pavarësisht përpjekjeve të mëparshme për një zgjidhje paqësore.
Burime amerikane dhe evropiane thanë se qëndrimi i Moskës u bë i qartë kur Rubio anuloi një takim të planifikuar me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, pas një telefonate, duke arritur në përfundimin se Kremlini po përpiqej të vononte bisedimet për armëpushim.
Sipas Bloomberg, ndikimi i Rubios në këtë ndryshim të linjës amerikane tregon për një rol në rritje të tij në politikën e jashtme të administratës Trump. Rubio është shprehur më parë në favor të një qëndrimi më të ashpër edhe ndaj Venezuelës.
Megjithatë, strategjia e tij përplaset me atë të të dërguarit të posaçëm të presidentit, Steve Witkoff, i cili ka mbështetur një qasje më të butë ndaj Rusisë.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, mohoi se ndryshimi i Trump kishte ardhur si rezultat i ndikimit të Rubios, duke theksuar se “Presidenti mbetet përgjegjës për politikën e jashtme amerikane dhe ekipi i tij po punon në mënyrë të bashkërenduar për zbatimin e vizionit të tij.”
Ajo shtoi se Witkoff, një nga këshilltarët më të afërt të Trump, nuk ka humbur ndikimin e tij në çështjet që lidhen me Rusinë apo në politikën e përgjithshme të administratës. Aktualisht, Witkoff ndodhet në Lindjen e Mesme, ku po mbikëqyr armëpushimin e brishtë në Gaza.
Sidoqoftë, disa raportime kanë sugjeruar se diskutimet paraprake të Witkoff me Putinin dhe zyrtarë të tjerë rusë për një samit të mëparshëm në Alaska krijuan konfuzion dhe përshtypjen se Moska ishte e gatshme për lëshime që nuk kishte ndërmend t’i zbatonte.
Zëdhënësja Kelly hodhi poshtë këto pretendime, duke theksuar se “Witkoff ka qenë i qartë me të gjithë partnerët” dhe se “ai dhe Presidenti po punojnë për paqen me një kuptim të plotë dhe të saktë të faktorëve në lojë.”
Ndërkohë, sipas një burimi pranë Kremlinit, edhe pala ruse kishte përjetuar konfuzion pas telefonatës Putin–Trump javën e kaluar. Zyrtarët në Moskë kishin krijuar përshtypjen se presidenti amerikan kishte pranuar kërkesën e Rusisë që Kievi të lëshonte pjesën e mbetur të Donbasit në këmbim të disa lëshimeve të kufizuara territoriale nga Moska.
Top Channel