Politika& futbolli, koha për Rilindje 2.0

23/10/2025 20:29

Nga Mentor Nazarko

Ndërsa në mes burrështetasve të mbledhur në Sharm El Sheik, për paqen në Gaza, Presidenti Trump kishte zgjedhur të ftonte dhe Gianni Infantinon, presidentin e Fifa-s, a thua se koalicionit në favor të paqes, Infantino do t’i shërbente me … topa futbolli, Presidenti i Federatës shqiptare të futbollit, njëherësh zëvendëspresidenti i UEFA-s, Armando Duka pritej në Kinë me gjithë nderimet nga homologu atje.. Besoj Duka e di, se në vitet 70, ishte Shqipëria e vogël që i mësonte Kinës për herë të parë… përdorimin e kartonit të … kuq. Asokohe ishte Tajvani  në OKB dhe jo Kina, ndaj Shqipëria përfaqësonte interesat kineze në atë organizatë, por dhe i mësonte futbollin miqve. Kina e madhe shihte shumë filma komunistë shqiptarë, dhe ndiqte ngjarjet politike të Shqipërisë me Mehmet Shehun e Beqir Ballukun. Mirpo dhe sot, Shqipëria ka shumë për t’i mësuar Kinës, ndonëse Federata jonë harxhon për futboll për kokë banori, afro 50 herë më shumë sesa Kina,  me një popullsi prej 1.4 miliard dollarë. Të dy skuadrat janë në vendin e 65 dhe 94, me një superioritet të qartë të Shqipërisë/

Kjo njëkohësi e Infantinos në Egjipt dhe Dukës në Kinë, më nxiti një ekskursion aktualizues të lidhjes së sportit me politikën. Janë disa episode  të përbotshme, emblematike madje edhe nga historia e  paqes apo pajtimit politik e kombëtar nëpërmjet sportit.  Dhe ekskursioni të lehtëson arritjen e disa përfundimeve.

Ekskursion historik sport&politikë

Në vitin 1937, një atlet gjerman Luz Long mu në hundë të Hitlerit, ndihmoi rivalin e vet amerikan  Jesse Owens që të fitonte medaljen e artë  në kërcim së gjati. Mbetën miq, madje  Jesse, e vizitoi familjen e gjermanit, të vrarë në Luftën e dytë botërore.  Një pingpongist amerikan dhe një kinez u bënë miq në një olimpiadë, dhe kjo miqësi u përdor si pretekst emocional për të normalizuar marrëdhëniet kinoamerikane, në fillim të viteve 70, duke hapur rrugën vizitës së Niksonit në Pekin, ndërsa SHBA njihnin … Tajvanin.. Episodi madje u quajt botërisht- diplomacia e pingpongut. Fiks ato vite kur futbollisti Edmond Gezdari luante futboll, por shitëset e njê dyqani diku në Kinë e mbanin mend nga filmi “Guximtarët”-tregon dikush.

Kosova nuk është Tajvani për shumë arsye, mirpo  nê 2016, një futbollist i madh si Fadil Vokrri, duke patur në krah një diplomat të biznesit si Duka, ka bërë shumë për hyrjen e Kosovës në familjen e shteteve -UEFA dhe FIFA, duke nisur nga futbolli. Këtë arritje të jashtëzakonshme, që ilustron dështimin spektakolar të politikës, e bëri me dije pikërisht Giani Infantino në vizitën e tij të fundit në Kosovë: Vokrri hodhi themelet e integrimit ndërkombëtar të Kosovës…nëpërmjet futbollit.

Si për koincidencë fatlume me Infantinon në Kosovë e Sharm, apo Dukën në Pekin, Shqipëria dhe Kosova arritën në tetor 2025, suksese të jashtëzakonshme në futboll. Shqipëria mundi Serbinë në Leskovc dhe Kosova dy herë Suedinë.. Politika e dy vendeve rendi të kapitalizojë sentimentin kombëtar të krijuar nga entuziazmi për fitoret si ka bërë rëndom. Kombe të vogla mund të bëjnë  megjithatë shumë më shumë sesa kaq, nisur pikërisht nga futbolli.  Nëse presidenti i një vendi gjigand si SHBA, e përdori imazhin e Infantinos në ansamblin e burrështetasve që kërkonin merita për paqen në Gaza, pse dhe si politika e të dy vendeve tona duhet të përdorë forcën e futbollit në shërbim të interesit kombëtar?

Pse?

Sepse në themel të këtij interesi të përbashkët të futbollit dhe politikës janë kombet, që ofrojnë lëndën njerëzore dhe frymën- tifozët dhe votuesit si ndjesi përkatësie kolektive… Pra politika duhet mençurisht mbi supet e futbollit, por dhe duke e ndihmuar futbollin, të avancojë përparimin kombëtar mbi një energji e doktrinë të re rilindëse.  Koha po kalon, sepse procesi nuk nisi me fitoren ndaj Serbisë, ndonëse kjo fitore është stacion i rëndësishëm. Kombëtarja e futbollit me dy kualifikimet në Europian në 2015 e 2024, e ka çuar nivelin e përkatësisë së shqipove  në zenit. Bashkëkombasit e rinj të diasporës, posaçërisht ata me prejardhje nga Shqipëria që  dikur as donin t’ja dinin për origjinën e prindërve, rigjetën arsye krenarie për këtë prejardhje. Ishin ata- maja e diamantit e tifozerisë sonë që mbushën plot qytetërim kombëtar stadiumet dhe sheshet e Europës. Jo vetëm ata: gjithë bijtë e shqipes, pavarësisht prejardhjes, arritën bashkimin kombëtar në sheshe dhe stadiume. Ky bashkim është diçka që politika e ka të pamundur ta arrijë për shkak të kufizimeve nga sipër. Kjo ka nxitur lulëzimin e turizmit kombëtar; e si pasojë imazhi ynë nacional ka arritur në nivele të jashtëzakonshme.  Energjia kombëtare si u duk në pamjet festive pas triumfit në Leskovc ka arritur pikën e vlimit, ama tenxherja nisi të vlojë më herët që në 2015. Duka, autokrati i  butë sportiv, menaxheri i klasit të parë që është pika e referimit. Sepse me urtësi konsensuale ka 20 vjet që i mbijeton aizbergëve të politikës së dy krahëve, madje duke e bashkuar politikën (madje dhe SPAK-un me të) edhe nëpërmjet shpërndarjes së biletave në stadium. Ai i ka vendosur me nuhatjen e vet çobanë të aftë pa kosto të lartë si De Biasi, Reja apo Silvinjo, deleve të humbura e të çorganizuara të talenteve tona individuale në botë. Në këtë mision, ai asistohet nga Federata, një makineri organizative në përsosje të vazhdueshme për standartet tona. Ndaj Duka u gjend në Kinë jo thjesht për nostalgjinë e inaugurimit të kartonit të kuq -kur Kina nuk ishte në OKB dhe Taivani po.  Kina e madhe  e ftoi për vizitë Dukën- për eksperiencën organizative: historia përsëritet me cikle.  Dikush tha- vizitë e vonuar, madje.

E pra, çdo të bëjë politika dhe shoqëria?

Ndaj si sugjerojnë episodet, pyetja shtrohet me forcë: a do të përdoret nga politika e shoqëria për diçka të mirë, emancipuese, pajtuese, zhvilluese, rilindëse kjo energji kombëtare me origjinë sportive? Apo do të mbetet stacionare, me gulçe? Kjo rilindje e dëshiruar që nis nëpërmjet futbollit, nuk është diçka që lidhet ekskluzivisht me kombet e vogla. Në vitin e largët 1954, Gjermania e madhe  nëpërmjet fitores së Botërorit në Bernë, themeloi prej mrekullisë sportive, një mrekulli rilindjeje kombëtare në ekonomi, shoqëri, etj. Historianët e  asociojnë rilindjen e kombit gjerman të shkatërruar nga Lufta e humbur, pikërisht me këtë sukses, të përjetësuar dhe nga një film i famshëm si “Mrekullia e Bernës”.

A mundemi dhe ne të bëjmë diçka?  Mrekullia shqiptare  e futbollit, duhet të prodhojë Rilindjen shqiptare 2.0. Sporti e bëri dhe po e bën të vetën në fushë dhe jashtë fushës. Rinia shqiptare e lindur në perëndim, e shpërfaqi energjinë e vet qytetëruese në vitrinat më të rëndësishme të botës. Madje e bëri  brenda fushave të vështira si Leskovci përballë një ekipi më të mirë historikisht se ne. E ka bërë dhe jashtë fushës, përballë një tifozerie të ushqyer nga krimi i organizuar si ai serb, apo nga kriminelët e luftrave të humbura të Serbisë.  Paradoksalisht humbja ndaj Shqipërisë fuqizoi pakënaqësinë ndaj Vuçiçit që u shndërrua në komentator sportiv, ndërsa tifozët nacionalistë thoshin: Aco shiftari dha Kosovën, hapi kufijtë me Ballkanin e hapur, tani ja dha fitoren Shqipërisë duke e çuar ndeshjen në Leskovc!   Tifozeria kuqezi që e ka mundur rregullisht me qytetari tifozerinë serbe, nuk ka nevojë  brenda saj për segmente apo fraksione që duan të trafikojnë mesazhe gjoja nacionaliste alla-ballkanike, për luftra që ne i kemi fituar tashmë. Formula ekziston dhe nuk ka pse ndërrohet!

Në këtë lojë pasqyrash, politika duhet të shihet në pasqyrën e futbollit, dhe ta kalërojë  për mirë këtë energji kombëtare. Kësisoj mund të pretendojë vend të epërm në histori, edhe pavarësisht futbollit, ndonëse e nxitur prej futbollit. Futbolli, ja bëri e po ja bën shërbimin e vet historik ndjenjës kombëtare, ndërsa politika është e thirrur në provim. Le të studiojë si tregojnë plot episode veç këtyre, në historinë e përbotshme sportive edhe pajtimin mes vedi, edhe pajtimin mes kombeve, por edhe modelin zhvillimor. Kështu ajo do të mikpritet seriozisht në lozhën e kolegëve të respektuar të politikës.

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta