
Franca po tërhiqet nga premtimi për të ndërhyrë më me forcë në det për të ndaluar anijet e vogla ose gomonet me emigrantë që kalojnë Kanalin Anglez drejt Mbretërisë së Bashkuar, sipas burimeve të sigurisë që kanë folur për BBC-në.
Ky ndryshim përbën një goditje për përpjekjet britanike për të frenuar kalimet e paligjshme të emigrantëve, që janë rritur ndjeshëm muajt e fundit.
Burime të lidhura me sigurinë detare franceze thonë se planet për një “doktrinë të re detare”, që do t’u lejonte anijeve patrulluese të ndalonin dhe të kthenin mbrapsht varkat e fryra të emigrantëve, janë pezulluar dhe mund të mos zbatohen kurrë.
“Është thjesht një marifet politik. Shumë zhurmë për asgjë,” tha për BBC një zyrtar francez i përfshirë në çështjet detare.
Vendimi vjen në një moment të paqëndrueshëm politik në Paris, pas një riorganizimi të qeverisë që pa shkarkimin e ish-ministrit të brendshëm Bruno Retailleau, i cili ishte nxitësi kryesor i një qasjeje më agresive kundër kontrabandës detare.
Qeveria e Presidentit Emmanuel Macron duket e përqendruar tani në kriza të tjera të brendshme, duke e lënë këtë politikë “në harresë”.
Në samitin e korrikut mes Macron dhe kryeministrit britanik Sir Keir Starmer, Franca kishte premtuar të fillonte ndërhyrje të drejtpërdrejta në det “brenda disa ditësh”. Por sipas burimeve franceze, asnjë ndryshim real nuk është zbatuar. Zyrtarë britanikë kanë shprehur zhgënjim për mungesën e veprimit nga pala franceze.
Top Channel