Trump ndez debatin për taksat mbi makaronat italiane/ “Do të ketë revoltë popullore”, opozita shpërthen kundër Melonit

21/10/2025 11:54

Një postim i shpërndarë nga presidenti amerikan, Donald Trump, në rrjetet sociale ka ndezur një debat të gjerë në Itali dhe BE.

Në qendër të çështjes janë taksat amerikane ndaj makaronave italiane, që mund të arrijnë mbi 100%, shumë më lart se tarifa aktuale 15%. Por në vend që të mbetet një çështje tregtare, polemika mori edhe ngjyrime politike: në video dhe postime të rishpërndara nga presidenti amerikan, Giorgia Meloni paraqitej sikur ishte gati të bënte një marrëveshje tregtare të veçantë me SHBA, jashtë rregullave të BE-së.

Në fakt, postimi nuk ishte i Trump, por i një mbështetëseje të tij, dhe nuk i referohej konkretisht makaronave, por në mënyrë të përgjithshme çështjeve të doganave. Megjithatë, ai u interpretua si një sinjal politik që Italia mund të devijojë nga linja evropiane, duke krijuar tensione në vend dhe në Bruksel.

Pas presionit politik dhe mediave, Palazzo Chigi (selia e Kryeministrisë) doli me një sqarim: “Marrëveshjet tregtare janë kompetencë ekskluzive e Komisionit Evropian. Italia nuk ka ndërmarrë asnjë iniciativë të pavarur.”

Qeveria konfirmoi se ka pasur vetëm një komunikim dypalësh me SHBA, për të mbrojtur interesat e prodhuesve italianë të makaronave, por gjithçka në koordinim të plotë me Komisionin Evropian.

Nga Brukseli u përsërit e njëjta linjë: ‘BE dhe Italia po veprojnë bashkërisht në mbrojtje të industrisë ushqimore europiane’.

Ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, që diskutoi çështjen me ambasadorin amerikan në Itali. “I shpjegova që nëse prekin makaronat tonë, do të ketë një revoltë popullore”, thotë ai.

Tajani theksoi se Italia gjithmonë ka vepruar në linjë me BE-në dhe se përmes bashkëpunimit janë arritur disa hapa përpara në negociata.

Opozita kërkon sqarime nga Meloni

Ndërkohë, opozita kërkon që kryeministrja të dalë në Parlament dhe të japë një qëndrim të qartë.

Chiara Braga (PD) tha se “Meloni nuk mund të heshtë. Italia nuk duhet të bëhet avampost i Trump për të dobësuar BE-në.”

Ndërsa Raffaella Paita (Italia Viva), deklaroi se “Meloni po i shmanget përplasjes me Trump, por kjo dëmton imazhin ndërkombëtar të vendit.”

Për Peppe De Cristofaro (Avs)m “Është e papranueshme që një qeveri sovraniste të përkulet para SHBA.”

Taksa të rënda mbi produktet italiane

SHBA akuzon disa kompani italiane se shesin makaronat nën kosto, duke kërkuar masa ndëshkuese. Trump ka paralajmëruar rritje të ndjeshme të tarifave doganore, që do të prekë ndjeshëm eksportet e industrisë italiane të makaronave, një nga produktet më të njohura të vendit.

BE është tashmë në bisedime me Uashingtonin për të shmangur një luftë tregtare që mund të dëmtojë ekonominë e përbashkët europiane.

 

 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta