
Policia e Sarandës ka zbardhur disa raste vjedhjesh.
Tre persona janë arrestuar si autorë të dyshuar.
Njoftimi i policisë:
Falë veprimeve hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura në këtë qytet dhe në fshatrat përreth, u bë e mundur ndalimi i 3 shtetasve të dyshuar si autorë të disa rasteve vjedhjeje të ndodhura në periudha të ndryshme kohore, konkretisht:
* u ndalua shtetasi M. Sh., 23 vjeç, banues në fshatin Çukë, Sarandë, si autor i dyshuar i disa vjedhjeve të ndodhura në këtë zonë.
Nga hetimet ka rezultuar se më datë 17.10.2025, në fshatin Çukë, ky shtetas ka vjedhur në banesën e një shtetasi disa orendi shtëpiake. Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se është autor i dyshuar edhe i disa rasteve të tjera vjedhjeje të ndodhura më herët, konkretisht:
– më datë 24.03.2025, në fshatin Berdenesh, Sarandë, ka vjedhur disa kabuj elektrikë në një magazinë;
– më datë 11.06.2025, në fshatin Berdenesh, ka vjedhur disa vegla pune, me vlerë rreth 50 000 lekë;
– më datë 24.08.2025, në dhomën e një hoteli në Ksamil, dyshohet se ka vjedhur një shumë prej 50 000 lekësh.
* po ashtu, u arrestuan shtetasit A. S., 19 vjeç, dhe M. R., 24 vjeç, banues në Sarandë, pasi janë kapur duke vjedhur pompën e ujit në lokalin e një shtetasi, në lagjen nr. 1, Sarandë. Gjatë kontrollit personal, shtetasit A. S. iu gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar “Cannabis sativa”, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel