Ndërkombëtarët trysni për zgjedhjen e kreut të SPAK? Kryetarja e KLP hedh poshtë aludimet, zbulon porositë: Na është thënë që nëse…

20/10/2025 19:13

Këshilli i Lartë i Prokurorisë mohon të ketë trysni në përzgjedhjen e drejtuesit të ri të SPAK-ut.

Gjatë raportimit në Kuvend për veprimtarinë e KLP-së, kryetarja Mirela Bogdani shpjegoi fazën në të cilën ndodhet konkurrimi për të udhëhequr Strukturën e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe rolin e Këshillit në studimin e kandidatëve.

“Lidhur me drejtuesin e SPAK, sot ka qenë mbledhja që miratuam kushtet dhe kriteret formale. Kjo procedurë ishte formale pro e domosdoshme. Do vijojmë me verifikimin e dosjeve, analizë për secilin dhe më pas procesi i votimit. Lidhur me çështjen e presionit. Më shumë është lobim, dikush është me tifoz i një qasje që ndjek një prokuror. Një mund të ketë qasje më represive, dikush pak më human dhe liberal. Ata janë të gjithë prokurorë të SPAK”, tha ajo.

Edhe aludimet për ndërhyrjet e ndërkombëtarëve, Bogdani i hodhi poshtë preferencat dhe zbuloi porositë.

“Nga diplomatet është kërkuar garantimi i procesit. Nuk ka asnjë lloj sugjerimi. i vetmi sugjerim ka qenë nëse keni ndonjë kërcënim referojini, absolutisht jo një emër konkretë”, u shpreh ajo.
Paraditen e të hënës Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratoi listën me 4 aspirantë që do të garojnë për të pasuar Altin Dumanin. Pas shqyrtimit të dosjeve të Adnan Xholit, Klodian Brahos, Doloreza Musabelliut, Ervin Gogajt, do të përballen me një intervistim publik e më pas kush do të marr më shumë vota do të shpallet fitues, për të marr detyrën më 19 dhjetor.

“Nuk ka qasje represive SPAK-u”, sqaroi Bogdani.

Pjesë e diskutimit në komisionin e Ligjeve ishte edhe vrasja e gjyqtarit në sallën e Gjykatës së Apelit. Për kryetaren e KLP ky rast duhet të jetë dhe më nxitës për të rritur sigurinë në institucionet e drejtësisë. Ndaj bëri thirrje për bashkëpunim ndërinstitucional.

“Kemi në plan një takim me prokurorët e Shqipërisë, ndoshta është momenti që institucionet e drejtësisë të bashkohen dhe të marrin masa si për infrastrukturën dhe për të pasur siguri. Gjithashtu edhe ekzekutivi të mbulojë kostot financiare”, tha ajo.

Mirela Bogdani komentoi edhe arrestimin e avokatit Ulian Barjami në Elbasan pas përplasjes me prokurorin, por nuk qartësoi qëndrimin e KLP në këtë çështje.

“Lidhur me avokatin e arrestuar në Elbasan, ne kishim një mbledhje sot dhe diskutuam në mënyrë informale, vendosëm që fillimisht të kërkojmë informacion dhe më pas do të qartësojmë qëndrimin. Nuk mund të shprehemi pa pasur një informacion të plotë të mënyrës se si kanë rrjedhur ngjarjet”, u shpreh Bogdani.

Me rëndësi, KLP vlerëson edhe rritjen e numrit të prokurorëve për të zgjidhur ngërçin me dosjet stok, ku për të kryer një ekspertizë të detajuar për nevojën mbi numrin e popullsisë në Shqipërisë i kanë shtrirë dorën për ndihmë BE-së.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta