
Në ceremoninë e organizuar në rastin e 35-vjetorit të Komisionit të Venecias, kryeministri Edi Rama vlerësoi punën e bëra nga komisioni.
Kreu i qeverisë e nisi fjalën e tij duke thënë se Kamioni i Venecias dhe demokracia shqiptare janë shokë materniteti, pasi kanë lindur në të njëjtën kohë.
Më tej ai tha se ‘Venecia’ ka dhënë një kontribut të çmuar në Kushtetutën e parë shqiptare.
“Komisioni i Venecias është një institucion që ka shoqëruar në vazhdimësi përpjekjen e Shqipërisë për t’u demokratizuar dhe transformuar nga një vend i sapo dalë prej diktaturës në një vend që synon të ulet në tryezën e BE. Simbolikisht mund të thuhet se misioni i Venecias dhe demokracia shqiptare janë shokë materniteti, kanë lindur në të njëjtën kohë, në vitin 1990. Me dëshirën për t’u njësuar me parimet e demokracisë, demokracia është një ëndërr e shumë ëndërruar që më në fund ka hapur shtegun e saj. Historia e zhvillimit demokratik në Shqipëri është e lidhur ngushtë me historinë e arritjes dhe forcimit të Komisionit të Venecias.
Sot Komisioni i Venecias ka bilancin e vet dhe kontributin e paçmuar për Kushtetutën e parë të shtetit demokratik shqiptar, atë të vitit 1998. Po ashtu, ka në bilancin e vet një sërë gjykimesh të rëndësishme në procese ku mendimi dhe opinioni i Komisionit ka luajtur një rol vendimtar. Padyshim që ka në bilancin e vet dy kontribute kyçe: kontributet për Kodin Zgjedhor, të cilat kanë mbështetur thelbësisht përmirësimin e këtij kodi dhe kanë përforcuar garancinë. Komisioni ka qenë një bashkëudhëtar i pandarë, një udhërrëfyes i matur dhe një autoritet që të orienton në drejtimin e duhur.”, u shpreh ai.
Top Channel