
Turizmi kulturor në Shqipëri po përjeton një rritje të qëndrueshme, duke tërhequr gjithnjë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj.
Gjatë periudhës janar–shtator 2025, 1,2 milionë persona kanë zgjedhur të vizitojnë sitet e trashëgimisë kulturore në vend. Ky interes në rritje tregon se publiku po e vlerëson gjithnjë e më shumë historinë, arkeologjinë dhe identitetin kulturor të Shqipërisë.
Në total, 538,508 vizitorë kanë frekuentuar parqet arkeologjike, 364,504 kanë vizituar muzetë, ndërsa 356,762 kanë zgjedhur kalatë dhe monumentet historike.
Përveç rritjes së numrit të turistëve, është shtuar ndjeshëm edhe përfitimi ekonomik nga ky sektor.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, gjatë nëntëmujorit të parë të vitit, të ardhurat e përfituara nga vizitat në sitet kulturore kanë arritur në 517 milionë lekë.
Parqet arkeologjike kanë gjeneruar pjesën më të madhe të fitimeve, me 291 milionë lekë, pasuar nga muzetë me 120.5 milionë lekë dhe kalatë e monumentet me 106 milionë lekë.
Kryesisht në fillimvit janë muajt me numrin më të ulët të fitimeve nga këto kategori, ndërsa piku i verës dhe vjeshta kanë tërhequr më shumë turistë në sitet kulturore.
Këto rezultate dëshmojnë se trashëgimia kulturore po kthehet në një burim të rëndësishëm ekonomik dhe një element kyç të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit në Shqipëri. Parqet arkeologjike, muzetë dhe kalatë po e ruajnë interesin e vizitorëve përgjatë gjithë vitit, duke forcuar lidhjen mes kulturës dhe ekonomisë vendase.
Top Channel