Arrestimi në Abu Dhabi i trafikantit shqiptar, Corriere: Altin Sinomati i përfshirë në atentatin e gazetarit italian

20/10/2025 13:30

Altin Sinomati, shqiptar i shumëkërkuar nga autoritetet italiane, është arrestuar dhjetë ditë më parë në Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ai akuzohet si porositësi i vrasjes së bashkëkombësit të tij Selavdi Shehaj, i njohur me nofkën “Passerotto”, i cili u ekzekutua në plazhin e Torvaianica më 20 shtator të vitit 2019, në një atentat që lidhet me larje hesapesh mes klaneve kriminale që merren me trafikun ndërkombëtar të drogës.

Sinomati u arrestua falë bashkëpunimit të Shërbimit Ndërkombëtar të Bashkëpunimit Policor dhe hetuesve vendas. Sipas hetimeve të policisë italiane dhe karabinierëve, vrasja e “Passerottos” u krye nga Raoul Esteban Calderón, i njëjti person i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Fabrizio Piscitelli, i njohur si “Diabolik”, lider i tifozëve ultras të Lazios, i ekzekutuar në gusht 2019 në Romë.

Hetimet kanë zbuluar se Calderón ishte paguar 150 mijë euro nga Altin Sinomati për të kryer vrasjen e Shehajt. Gjithashtu, Sinomati është dënuar në Itali bashkë me Giuseppe Molisso, një tjetër figurë kyçe e trafikut të drogës në Romë.

Ky rrjet kriminal shkruan Corriere, është aktualisht në qendër të hetimeve që lidhen edhe me atentatin e ndodhur javën e kaluar ndaj gazetarit investigativ të emisionit “Report”, Sigfrido Ranucci. Atentati ndodhi në mbrëmje, përpara banesës së tij në zonën e Campo Ascolano, pranë Pomezias dhe shumë afër Torvaianicas, vendi ku ndodhi edhe vrasja e “Passerottos”.

Autoritetet italiane po hetojnë lidhjet mes rrjeteve të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe sulmit ndaj gazetarit, duke ndjekur një pistë që të çon drejt mafies shqiptare dhe rolit të saj në krimin e organizuar në Itali.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta