Prokuroria e Elbasanit ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të avokatit Ulian Barjami.

Korrespondentja e Top Channel Bruna Kërçyku bën me dije se pas vlerësimit të materialit përcjellë nga policia gjyqësore pranë dvp Elbasan, Prokuroria ka urdhëruar lirimin.

Prokurori i çështjes pasi analizoi audioregjistrimin e seancës gjyqësore dhe u njoh me pretendimet e palëve vlerësoi se nuk kemi të bëjmë me vepër penale.

Uljan Bajrami u arrestua me iniciativë nga oficeri i policisë gjyqësore pasditen e 19 Tetorit pas një debati në seancë gjyqësore me prokurorin Gjergj Ceka.

Njoftimi i prokurorisë:

Në kuadër të ngjarjes së bërë publike që lidhet me ndalimin e shtetasit U.B, me profesion avokat, në lidhje me veprimet e kryera prej tij gjatë seancës gjyqësore të datës 17.10.2025, me objekt vleftësimin e arrestimeve në flagrancë dhe caktimin e masave të sigurimit personal ndaj disa të arrestuarëve, informojmë dhe sqarojmë opinionin publik si më poshtë:

Përmes shkresës me nr. 11187 prot., datë 20.10.2025 të Drejtorisë Vendore të Policisë (DVP) Elbasan, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan janë përcjellë materialet procedurale që lidhen me ndalimin e shtetasit U.B, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kanosja për shkak të detyrës”, parashikuar nga neni 238/3 i Kodit Penal, “Kanosja e gjyqtarit”, parashikuar nga neni 317 i Kodit Penal dhe “Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit”, parashikuar nga neni 316 i Kodit Penal.

Nga shqyrtimi i materialeve procedurale ka rezultuar se më datë 17.10.2025, është marrë njoftim se në Sallën Nr. 1 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, gjatë seancës gjyqësore për “Vleftësimin e arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masave të sigurisë ndaj 14 personave të arrestuar më datë 13.10.2025”, avokati i njërit prej personave të arrestuar, konkretisht shtetasi U.B, në cilësinë e mbrojtësit të personit nën hetim
M.S., dyshohej se kishte kanosur në Sallë, prokurorin e çështjes dhe punonjësit e policisë gjyqësore që kishin kryer veprime procedurale në lidhje me çështjen.

Pas marrjes së këtij informacioni, janë organizuar shërbimet dhe janë kryer veprimet e para hetimore. Ndër të tjera, është administruar regjistrimi audio i seancës gjyqësore të zhvilluar më datë 17.10.2025.

Mbi bazën e transkriptimit të përmbajtjes së komunikimeve të mësipërme, të shtrira në disa orë të zhvillimit të seancës gjyqësore, si dhe pas kryerjes së veprimeve të para procedurale, nga ana e policisë gjyqësore është proceduar me ndalimin e shtetasit U.B.

Pas administrimit të materialeve procedurale në prokurori, më datë 20.10.2025, bazuar në nenin 287/1 të K.Pr.Penale, me qëllim kryerjen e hetimeve për të grumbulluar të dhëna të plota për përcaktimin e faktit, nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan është regjistruar procedimi penal nr. 1222/2025, për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës”, parashikuar nga neni 238/3 i Kodit Penal, “Kanosja e gjyqtarit”, parashikuar nga neni 317 i Kodit Penal dhe “Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit”, parashikuar nga neni 316 i Kodit Penal.

Ndërkohë, lidhur me ndalimin e shtetasit U.B, nga ana e prokurorit të çështjes, është mbajtur qëndrimi se nuk ishin kushtet dhe nevojat për vijimin e këtij ndalimi dhe për kërkimin përpara gjyqtarit të hetimeve paraprake të vleftësimit të tij apo caktimit të një mase sigurimi personal. Për rrjedhojë, si pasojë ligjore ipso jure, është urdhëruar lirimi i menjëhershëm i të ndaluarit.

Veç sa më lart, duke mos paragjykuar çështjen konkrete dhe ecurinë e hetimeve, gjejmë rastin të ritheksojmë se profesionistët e drejtësisë, gjyqtarët, prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore dhe avokatët janë shtyllat që mbajnë në këmbë sistemin e drejtësisë.

Asnjëra prej tyre nuk mund të funksionojë duke cenuar pavarësinë apo sigurinë e tjetrës. Sistemi i drejtësisë kërkon bashkëpunim institucional, respekt reciprok dhe integritet profesional nga të gjitha hallkat e tij. Qëndrimet publike të nxituara, të pabazuara në raportime zyrtare të institucioneve të përfshira, apo në vendimmarrje konkrete procedurale, apo qëndrimet që relativizojnë ose justifikojnë sjellje të kundërligjshme, dëmtojnë rëndë misionin e përbashkët për zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e drejtësisë.

Prokuroria mbetet e vendosur të garantojë zbatimin e ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë, si dhe mbrojtjen e sigurisë dhe integritetit të çdo funksionari të drejtësisë, apo Policisë se Shtetit, përballë çdo forme presioni, intimidimi apo kërcënimi.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta