
Shqipëria ka pësuar shpyllëzim masiv dhe përkeqësim si rezultat të prerjeve të paligjshme në të cilat kanë kontribuar grupet lokale të krimit të organizuar dhe zyrtarët e korruptuar.
Ky është dyshimi i Ministrisë së Brendshme në analizën zyrtare ku, si fenomen i ri përveç aktivizimit të krimit të organizuar në kriminalitetin tipik si narkotrafikut, pastrimi i parave apo migracioni i paligjshëm, shfaqet edhe aktivizimi i grupeve për të përdorur tokën për interesa të tjera. Një proces që është kryer nëpërmjet shpyllëzimit me djegie apo prerje të pyjeve.
Konstatimi iu vendos në dispozicion Top Channel në një dokument ku është hartuar strategjia kombëtare dhe plani për katër vitet e ardhshme se si do të parandalohet dhe luftohet krimi i organizuar apo krimet e rënda.
Në dokumentin strategjik, në të cilin profilizohet krimi i organizuar dhe teknikat si do të reagohet ndaj tij, shtohet se vitet e fundit individë dhe grupet kriminale u shfaqën aktivë në shfrytëzimin e burimeve natyrore, njëra prej të cilave është industria e lëndëve të para.
Pavarësisht kësaj gjetjeje, zyrtarisht nuk ka të dhëna zyrtare mbi persona apo grupe nën hetim. Jo zyrtarisht të dhënat janë ende nën verifikim dhe indiciet duhen provuar.
Sa i përket trafikut të drogës, pranohet ka trend rritës në përdorimin e kriptomonedhave për pagesat në tregun e drogës, çka sjell fshehjen e gjurmëve të financuesve.
Po ashtu, vijon më tej — trafikantët po përdorin dark web-et për të shpërndarë lëndë narkotike, çka sjell moszbulim të identitetit të shpërndarësve.
Si një nga planet, veç taktikave hetimore, reformimit të policisë kriminale, për herë të parë përmendet se në Shqipëri duhet të ngrihet observatori i drogës, që do të monitorojë si goditet shpërndarja e lëndëve narkotike në vend, çfarë ngarkesash sekuestrohen, cilat janë llojet e reja të drograve që grupet synojnë t’i futin në Shqipëri dhe në çfarë nivelesh është përdorimi.
Top Channel