Mbledhjet vjetore të FMN dhe Bankës Botërore në Uashington, merr pjesë edhe guvernatori Sejko: Rritje mesatare në ekonominë e Shiqipërisë

19/10/2025 12:37

Në datat 16-18 tetor 2025, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, udhëhoqi delegacionin shqiptar në Mbledhjet Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Grupit të Bankës Botërore (BB), të zhvilluara në Uashington DC, SHBA.

Këto mbledhje përfaqësojnë një forum të nivelit të lartë, ku guvernatorë bankash qendrore dhe ministra financash nga vende anëtare diskutojnë zhvillimet më të fundit të ekonomisë botërore dhe sfidat globale.

Gjatë aktivitetit, Guvernatori Sejko zhvilloi takime të rëndësishme me drejtues të FMN-së dhe Bankës Botërore, duke përfshirë Drejtorin Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN, Riccardo Ercoli, dhe Zëvendëspresidenten për Evropën dhe Azinë Qendrore në BB, Antonella Bassani.

Në këto takime u prezantuan zhvillimet ekonomike dhe financiare në Shqipëri, duke theksuar politikën monetare të kujdesshme të Bankës së Shqipërisë, stabilitetin e sektorit bankar dhe performancën pozitive të ekonomisë shqiptare.

Ekonomia shqiptare ka treguar qëndrueshmëri dhe rritje mesatare prej rreth 3.5% në dy vitet e fundit, me inflacion të qëndrueshëm pranë objektivit prej 3% dhe papunësi në nivele historikisht të ulëta. Investimet dhe konsumi privat mbeten motorët kryesorë të rritjes, ndërsa sektori i shërbimeve dhe turizmi kanë kontribuar pozitivisht.

Guvernatori Sejko vuri në dukje rëndësinë e politikave fiskale dhe monetare të koordinuara, si dhe masat makroprudenciale për ruajtjen e stabilitetit financiar. Ai theksoi gjithashtu angazhimin e Bankës së Shqipërisë në përmirësimin e sistemeve të pagesave, përfshirë integrimin e vendit në sistemin e pagesave të BE-së (SEPA), me fillimin e pagesave në tregun unik që nga tetori 2025.

Në fokus të diskutimeve ishte edhe perspektiva afatmesme ekonomike, ku pritet një rritje e qëndrueshme dhe inflacion që do të rikthehet pranë objektivit në vitin 2026. Rreziqet kryesore lidhen me faktorë të jashtëm, përfshirë ngadalësimin ekonomik të partnerëve tregtarë dhe tensionet gjeopolitike, ndërsa integrimi në Bashkimin Europian mbetet një shans i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik.

Përfaqësuesit e FMN-së dhe Bankës Botërore vlerësuan progresin e Shqipërisë dhe bashkëpunimin e frytshëm me Bankën e Shqipërisë, duke e cilësuar bankën qendrore si një shtyllë stabiliteti në kohë pasigurie.

Gjatë qëndrimit në Uashington, delegacioni zhvilloi edhe takime dypalëshe me homologë ndërkombëtarë për të diskutuar mbi përmirësimin e bashkëpunimit dhe asistencës teknike në fusha si mbikëqyrja bankare dhe sistemet e pagesave.

Guvernatori Sejko mori pjesë gjithashtu në seancat plenare të Komitetit Ndërkombëtar Monetar e Financiar dhe të Mbledhjeve Vjetore të FMN-BB, ku prezantoi zhvillimet makroekonomike dhe potencialin investues të Shqipërisë.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta