
Një përplasje mes dy aksionarëve që kanë në pronësi aeroportin e Vlorës, ka përfunduar tashmë në dyert e gjykatave, e cila nga ana e saj ka bllokuar çdo lëvizje me aksionet e kompanisë.
Aksioneri i minorancës në këtë koncesion, Valon Ademi ka akuzuar publikisht Behgjet Pacollin për mashtrim. Thelbi i konfliktit të dy ortakëve në ndërtimin e aeroportit ka qenë ndarja e aksioneve, ku Ademi zyrtarisht ka 2% të tyre, por pretendon 47%.
Mes palëve ekziston gjithashtu një kontratë noteriale, e firmosur menjëherë pas largimit të grupit turk YDA nga koncesioni i aeroportit. Ky grup kishte në pronësi 40 për qind të aksioneve të aeroportit të Vlorës, të cilat formalisht ia shiti kompanisë Mabco të Behgjet Pacollit për shumën simbolike prej 4200 eurosh. Po atë ditë, Mabco dhe 2A Group nënshkruan një marrëveshje të re për ndarjen e aksioneve, duke përcaktuar që Mabco të zotëronte 53 për qind dhe 2A Group 47 për qind të tyre. Megjithatë, këto kontrata nuk janë regjistruar ende në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).
Ndërkohë, kompania 2A Group e Ademit kërkon të njihet zyrtarisht si pronare e 47 për qind të aksioneve, duke u mbështetur në kontratën noteriale dhe dokumentacionin e plotë të investimeve të realizuara gjatë dy viteve të fundit. Nga ana tjetër, Mabco e Pacollit kundërshton këtë pretendim dhe, si aksionere kryesore e konsorciumit, ka marrë vendim të mos lejojë ndryshimin e strukturës së aksioneve.
Përplasja mes tyre ka ccuar edhe në shkarkimin e administratorit të parë të kompanisë së aeroportit të Vlorës, ndërsa i dyti ka dhënë dorëheqjen pak ditë më parë.
Pas akuzave mes aksionarëve, Valon Ademi ka bërë kallëzim ndaj Pacollit dhe gjykata ka vendosur pak ditë më parë masën e sigurimit të padisë ndaj Shoqërisë “Vlora International Airport – VIA” SH.P.K., duke pezulluar çdo vendim të planifikuar në Asamblenë e Përgjithshme të Ortakëve, e cila ishte caktuar të mbahej më 20 tetor 2025.
Gjithashtu është pezulluar edhe e drejta e votës e ortakut të shumicës, Shoqërisë “Mabco Constructions SA”, e Pacollit deri në regjistrimin e kontratës së shitjes së 49% të kuotave të kapitalit të shoqërisë VIA sh.p.k., të transferuara më 3 prill 2025 tek blerësi “2A Group” sh.p.k.
Prokuroria e Tiranës ndërkohë ka nisur një grup prokurorësh për hetimin e çështjes së aeroportit të Vlorës.
Hetimi është regjistruar për 3 individë: biznesmenin Behgjet Pacolli me të vëllanë Emin Pacolli, si dhe shtetasin Nelson Çela, administrator i kompanisë mëmë në Zvicër Mabco Construction S.A. Shtetasi Nelson Çela u thirr në Prokurorinë e Tiranës, i cili dha një deponim, ndërsa fill më pas nënshkroi edhe dorëheqjen si administrator i kompanisë në pronësi të Pacollit. Të tre ata janë zyrtarisht nën hetim për mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik, si dhe falsifikim të dokumenteve dhe akteve.
Pas këtyre zhvillimeve ka reaguar ditën e djeshme Behgjet Pacolli, i cili thotë se në Shqipëri ka nisur një fushatë kundër tij.
“Çfarë është ky komplot i koordinuar në Shqipëri kundër emrit tim? Pikërisht tani që ndërtimit të aeroportit po i vjen fundi?! Çfarë janë këto ofendime? Kush po e orkestron këtë fushatë shpifjesh dhe pse? Nuk jam më gati për lëshime për atë që është e imja, por nuk do të pranoj kurrë asgjë që nuk më takon. Kam dhënë kontributin tim të ndershëm, me qindra miliona euro investime, që vijnë 100% nga asetet e mia personale, të dokumentuara dhe të garantuara me fondet dhe kolateralet e mia private. Asnjë qindarkë publike — çdo gjë ka ardhur nga puna, besimi dhe sakrifica ime”, shkruan Pacolli.
Sipas tij “Dua të lë në Vlorë një trashëgimi duke e ditur mirë që ky investim me vështirësi do të rikthehet. Por një gjë është e sigurt: Nuk mund të duroj më këtë padrejtësi, ku përbaltet emri, dinjiteti dhe investimi im! Këto sulme të organizuara do t’i përballoj me të vërtetën dhe me faktet në dorë”.
Top Channel