Sytë janë nga Kushtetuesja/ Zgjedhja e një anëtari të gjykatës: Ose do pranohet vota, ose do humbasë fjala drejtësi

18/10/2025 15:07

Çështja e zgjedhjes së anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese nisi si një procedurë e zakonshme, por u kthye në një pasqyrë të qartë të mënyrës si funksionon drejtësia në vend.

Pas mbledhjes së posaçme të Gjykatës së Lartë më 30 shtator, ku një votë u shpall e pavlefshme, debati doli nga salla e gjyqtarëve dhe hyri në sytë e publikut. Sepse kur në qendër të vendimmarrjes vihet një fletë letre, dhe jo vullneti i një gjyqtari, pyetja bëhet shumë më e thjeshtë dhe shumë më e rrezikshme: kush e përcakton drejtësinë – ligji, arsyeja apo administrata.

Gjykata e Lartë e quajti procesin “të ligjshëm, transparent dhe të dokumentuar”. Por pas gjithë frazave formale, një fakt mbetet i pandryshuar:

një votë u hodh dhe nuk u numërua. Një vullnet u shpreh dhe u fshi. Një vendim u mor, por u trajtua sikur ligjshmëria mjafton për të zëvendësuar drejtësinë.

Tani është radha e Gjykatës Kushtetuese. Jo për të heshtur me dinjitet, por për të folur me përgjegjësi. Sepse ky nuk është më një debat institucional – është një test për vetë pavarësinë e saj. Një test që do tregojë nëse vendimet merren sipas formës, apo sipas ndërgjegjes.

Nëse gjyqtarët janë të barabartë, apo të kontrolluar nga rregulla që i nënshkruajnë, por nuk i kuptojnë. Gjykata Kushtetuese nuk mund të qëndrojë jashtë kësaj.

As të zgjedhë komoditetin e heshtjes, e as të fshihet pas shpjegimeve teknike. Sepse heshtja e saj nuk do të lexohet si maturi, por si frikë. Dhe frika nga e vërteta është gjithmonë shenja e parë e një drejtësie të dobët. Ky vendim nuk është thjesht një çështje juridike.

Është një çështje besimi. Nëse në këtë vend një votë e dhënë nga një gjyqtar mund të humbasë vlerën e saj në emër të një procedure, atëherë pyetja bëhet edhe më e rëndë: si mund të besojë publiku në drejtësi, kur drejtësia vetë ka frikë t’i numërojë votat e veta?

Kushtetuesja e ka në dorë t’i japë fund kësaj mjegulle. Jo për të shpëtuar një emër, por për të shpëtuar parimin. Në fund, gjithçka do të mbetet shumë e qartë: ose do të pranohet vota, ose do të humbasë fjala “drejtësi”

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta