
Është ndarë nga jeta në moshë të re, Joana Qyli, pjesë e stafit të konsullatës shqiptare në Selanik.
Lajmin e bëri publik Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në Selanik, në një postin në rrjetin Facebook.
“E trishtë përtej dhimbjes të shohësh si shuhen këto sy plot jetë. Joana Qyli ka shëmbëllyer mirësinë dhe frymëzimin e një vajze plot dashuri për jetën, familjen dhe miqtë e saj. Si pjesë e stafit te Konsullatës në një periudhe jo të shkurtër, Joana fitoi respektin dhe ngrohtësinë e kolegëve dhe të qytetarëve që me aq korrektësi u shërbeu. Edhe pse në një rrugëtim të shkurtër me jetën, ajo arriti ta ndërtoje atë bukur, me ngjyrat e shpresës dhe forcën për të mposhtur dhimbjen. Ngushëllimet më të ndjera familjes dhe të afërmve të dashur për këtë humbje të pafjalë. Qofsh e parajsës Joana Qyli”, shkruhet në postim.
Për ndarjen nga jeta ka reaguar edhe kreu i Kuvendit, Niko Peleshi, duke shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen e parakohshme nga jeta të vajzës së mikut të tij, Thoma Qyli.
“Joana, vajza e mikut tim Thoma Qyli, u nda nga jeta në një moshë ku gjithçka duhej të kishte filluar.Një vajzë e mirë, me shpirt të pastër, e talentuar, me etje për dije, plot dritë dhe jetë.Nuk ka fjalë që mund të ngushëllojnë një prind për humbjen e fëmijës, por mendimet dhe lutjet janë me familjen Qyli në këtë dhimbje të pamatë.U prehtë në paqe Joana, dhe kujtimi i saj qoftë dritë përjetë”, shkruan Peleshi.
Top Channel