SPAK dërgoi dosjen me 33 të pandehur në Gjykatën e Posaçme, me në krye vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja, si drejtues të organizatës, që trafikonte kokainë nga Amerika Latine, në vendet e Europës dhe Angli.

Grupi kriminal u zbulua nga bisedat në aplikacionin SKY ECC, ku u zbërthyen dhe lidhjet me elementë të drejtësisë apo Policisë së Shtetit. Përveç drejtuesve dhe anëtarëve të organizatës kriminale, në gjyq u dërguan edhe ish-gjyqtarja e Elbasanit, Pajtime Fetahu, dhe zyrtarë të tjerë të drejtësisë, si dhe disa punonjës policie në Durrës e Elbasan, që kishin ndihmuar grupin e strukturuar. Sipas SPAK, veprimtaria kriminale e këtij grupi kriminal kishte nisur që nga viti 2006.

“Hetimet treguan se pas vitit 2018, vëllezërit Çopja janë shndërruar në një organizatë kriminale të mirëfilltë, e cila në bashkëpunim edhe me grupe të tjera të krimit të organizuar ndërkombëtar, zgjeroi veprimtarinë e saj kriminale në trafikimin e drogave të forta, kryesisht të kokainës. Ata janë përfshirë në 6 vrasje me pagesë dhe 12 tentativa për eliminimin e kundërshtarëve. Pagesat për ekzekutimet siguroheshin nga të ardhurat e trafikut të kokainës”.

Hetimet e SPAK kanë zbuluar disa vrasje me pagesë të grupit kriminal, përfshirë edhe katër atentate ndaj Erjon Alibej, si dhe lidhjet me bandat e tjera.

Paratë e fituara nga trafiku i kokainës, u përdorën në Shqipëri në sektorin e ndërtimit, përmes blerjes së pasurive të paluajtshme si apartamente, vila, bare e restorante dhe sipërfaqe toke), në qytetet Tiranë, Elbasan dhe Durrës.

“Franc Çopja në raste të përsëritura ka realizuar transferimin e vlerave monetare të konsiderueshme “cash”, përmes përdorimit të zyrave të këmbimit valutor exchange, brenda dhe jashtë vendit, duke ia dërguar personave të tij të besuar. Kjo bëhej me qëllimin për të kryer pagesën për ngarkesat e lëndës narkotike të llojit kokainë (në vendet e origjinës, Ekuador, Brazil, Kolumbi, Paraguaj dhe Bolivi), të vrasjeve apo investimeve për llogari të tyre, në Shqipëri dhe jashtë saj”.

Prokuroria ka sekuestruar mbi 40 prona të paluajtshme dhe llogari bankare të këtij grupi kriminal.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta