
Kievi vazhdimisht ka kërkuar nga SHBA-ja ngurruese që ta furnizojë me raketat e fuqishme Tomahawk, të cilat mund t’i shkaktojnë Rusisë dëme të prekshme. Dhe në fakt, raketat mjaft të avancuara, nuk lakmohen më kot prej Ukrainës.
Tomahawk u krijua në vitet ’70, mes tensioneve të Luftës së Ftohtë me Bashkimin Sovjetik, shpjegon Radio Europa e Lirë. Raketa lundruese është e menduar të fluturojë në distanca të mëdha, dhe lëviz aq ulët, sa shumica e radarëve nuk e pikas dot. Me një gjatësi prej 5.5-metrash dhe e pajisur me një predhë me peshë prej gjysmë toni, kjo raketë mund të fluturojë rreth 1.600 kilometra.
Çdo Tomahawk është i pajisur me sisteme komplekse të brendshme të navigacionit, dhe kushton plot 2 milionë dollarë. Kievi ka bërë vazhdimisht thirrje për furnizim me raketa amerikane me rreze të gjatë veprimi. Që vitin e kaluar, Volodymyr Zelensky, la të kuptohet se Kievi po insistonte për raketat në fjalë, por një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë e pati cilësuar asokohe një kërkesë të tillë si “tërësisht të parealizueshme”.
I zemëruar me Moskën për shkak të mbetjes në vendnumëro të negociatave të paqes, Donald Trump tani ka lënë të kuptohet se furnizimi i mundshëm i Ukrainës me Tomahawk është rikthyer në axhendë. Nuk dihet se si do ta përdorte Ukraina armën, e cila lëshohet zakonisht nga anijet apo nëndetëset luftarake.
Raketat Tomahawk mund të lëshohen edhe nga disa avionë luftarakë, por një zyrtar ukrainas ka pranuar se ato “nuk janë të lehta për t’u përdorur” pa avionë bombardues strategjikë, të cilët Kievi nuk i ka.
Top Channel