Presidenti Begaj takim me zëvendëspresidentin e Turqisë, bisedime për sigurinë dhe bashkëpunimet ekonomike

17/10/2025 10:55

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në një takim Zëvendëspresidentin e Turqisë, Cevdet Yılmaz.

Biseda mes tyre u fokusua te marrëdhëniet midis dy vendeve tona, avancimin e nismave që thellojnë këtë bashkëpunim, si edhe zhvillimet rajonale dhe çështjet e sigurisë.

“Shqipëria vlerëson rolin e Turqisë si një partner dhe aleat kyç dhe vlerësoi se ka gjithmonë vend për thellim të bashkëpunimit dypalësh në fusha, si: ekonomia dhe tregtia, bujqësia, investimet, infrastruktura, turizmi, mjedisi dhe çështje të tjera thelbësore”, tha Begaj.

Gjatë bisedës u theksua edhe bashkëpunimi rajonal me Turqinë në kuadër të nismave rajonale, si: Bashkëpunimi Ekonomik i Detit të Zi dhe Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).

Në lidhje më Kosovën, Presidenti i Republikës vlerësoi lobimin e fortë të Turqisë për njohjen dhe anëtarësimin e saj në organizatat rajonale e globale.

Në takim u vlerësuan, gjithashtu, përpjekjet e Turqisë dhe të Presidentit Erdogan në promovimin e dialogut si mundësi për paqen dhe nxitjen e mirëkuptimit të përbashkët e të pranuar gjerësisht, si në luftën Rusi-Ukrainë, edhe në konfliktin në Lindjen e Mesme.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta