
Historia e trajtuar sot në “Për Shqiptarët” është ajo e Kristinës, një vajzë e cila në moshën 13-vjeçare u përball me një infeksion shumë të rëndë që i rrezikoi jetën dhe e la atë në koma për 2 muaj.
Infeksioni që Kristina ka kaluar ka qenë shumë i rëndë, nga dhëmballa i kaloi në të gjithë trupin.Ky infeksion i shkaktoi asaj probleme në të folur dhe në të ecur.
Edhe pse në Shqipëri mjekët nuk i dhanë asnjë shpresë Kristinës, ndërhyrjet që ajo bëri në Itali falë Fondacionit Firdeus, ia kthyen shpresën.
Miranda, e ëma e Kristinës kujton ditën iu drejtua për ndihmë shqiptarëve dhe Fondacionit Firdeus, dhe vetëm pas 3 ditësh shuma për kurimin e të bijës së saj u mblodh dhe Kristina u nis për kurim në Itali.
“Për tre ditë, më dhanë lajmin e mirë se Kristina do të niset për në Itali. Kur erdhi Fatma e më dha lajmin… ato fjalë më bënë shumë të fortë. Vetes i thoja, ta marr gocën e të iki sa më shpejt. Se dhe doktorët më thonin, që vajza nuk pret më.Rrugëtimi ishte shumë i vështirë. Nxituam, sepse Kristina nuk kishte jetë më. Këtu më thanë që Kristina, zor ta përballojë rrugën, por doktorët në Itali i kishin marrë masat. E mbajtën nën kontroll minutë për minutë. Gjithë rrugëtimin i jam lutur Zotit që Kristina të mbërrinte sa më shpejt në Itali. Ashtu na shkoi. Zoti na pa. Kristina arriti në Itali”, tregoni e ëma e Kristinës, Miranda.
Ajo kujtoi me shumë emocion edhe momentin kur e bija doli nga koma, që për të ishte si një mrekulli nga zoti.
“Ua doktor, i hapi sytë vajza”, ishte reagimi i mamasë.
Sot, falë ndihmës së shqiptarëve dhe ndërhyrjes së Fondacionit “Firdeus”, Kristina është jashtë rrezikut për jetën dhe po i nënshtrohet trajtimeve të specializuara për t’u rikuperuar plotësisht.
Top Channel