“Një yll i ri në horizont”/ Ish-futbollisti i Lazios flet me superlativa për talentin shqiptar: Duhet ndjekur nga afër

17/10/2025 17:25

Riza Durmisi, ish-futbollist i Kombëtares së Danimarkës dhe emër i njohur në klube të mëdha europiane si Lazio, Real Betis dhe Brøndby IF, ka shprehur publikisht vlerësimin e tij për talentin e ri shqiptar nga Tetova, Lavdrim Kasami.

“Për ata që s’më njohin, unë jam Riza Durmisi, ish-lojtar profesionist që kam luajtur në disa prej kampionateve më elitare të Europës. Sot dua të flas për një futbollist të ri që më ka lënë mbresa të thella – Lavdrim Kasamin, një djalosh që përfaqëson me krenari futbollin shqiptar,” – thekson Durmisi

Ai rrëfen se e ka parë personalisht Lavdrimin në lojë dhe është impresionuar nga cilësitë që ka treguar në fushë: “E kam parë me sytë e mi dhe mund të them me plot bindje: është një talent i spikatur. Më ka habitur mënyra se si luan me të dyja këmbët me lehtësi – kjo është shumë e rrallë, madje edhe te lojtarë me përvojë të gjatë. Ka teknikë të pastër, lexon lojën mirë dhe ka guxim. Është i qetë me topin dhe sillet si një lojtar i formuar.”

Për Durmishin, ftesa e Lavdrimit nga Kombëtarja U19 për ndeshjen kundër Irlandës është një hap i rëndësishëm në rrugëtimin e tij: “Kjo është një shenjë se ai po ecën drejt një karriere serioze. Ai luan për Shkëndijën e Tetovës – një klub me emër të madh mes shqiptarëve. Kam dëgjuar gjithashtu se ka interesim nga një klub nordik dhe një mundësi prove në Itali – gjë që tregon vlerësimin që po merr.”

Në përmbyllje, ish-mbrojtësi i Lazios dhe Betisit dërgon një mesazh të qartë për klubet dhe përfaqësuesen shqiptare: “Lavdrim Kasami është një lojtar që duhet mbajtur në vëmendje. Ka potencial real për të qenë pjesë e së ardhmes së Kombëtares. Me besim dhe përkrahje, do të provojë vlerat e tij me paraqitjet në fushë.”

FOTO GALERI
1/3

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta