“Mund të kishte vdekur çdokush”/ Shpërthen makina e gazetarit italian Sigfrido Ranucci, dyshohet për atentat

17/10/2025 09:08

Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur mbrëmjen e djeshme qytetin Campo Ascolano, në jug të Romës, pasi një pajisje shpërthyese u vendos nën makinën e gazetarit dhe prezantuesit të emisionit investigativ “Report”, Sigfrido Ranucci.

Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 dhe shkaktoi dëme të mëdha materiale në makinën e gazetarit, mjetin tjetër të familjes si dhe fasadën e jashtme të banesës ku jeton. Për fat të mirë, nuk raportohet për të lënduar.

Sipas deklaratës së publikuar nga programi “Report” në rrjetet sociale, shpërthimi ishte aq i fuqishëm “sa mund të kishte vrarë këdo që kalonte aty pranë në atë moment”.

Gazetari Ranucci, i cili foli për gazetën Corriere della Sera pak pas orës 2 të mëngjesit, tha se vajza e tij kishte parkuar makinën vetëm 20 minuta para shpërthimit. “Ata mund ta kishin vrarë…”, u shpreh ai i tronditur, duke shtuar se nuk e përjashton lidhjen e sulmit me hetimet e reja që programi i tij kishte paralajmëruar publikisht ditë më parë.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë forcat e Karabinierëve, zjarrfikësit dhe ekipi i hetimeve mjeko-ligjore. Zyra e prokurorit lokal ka hapur hetimin dhe është njoftuar edhe Prefekti i zonës.

Ranucci deklaroi se sipas të dhënave paraprake, është përdorur të paktën një kilogram eksploziv.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në Itali dhe më gjerë, duke rikthyer në qendër të vëmendjes rreziqet me të cilat përballen gazetarët investigativë në kryerjen e punës së tyre.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta