Kur njeriu bëhet i panevojshëm dhe ëndrrat zëvendësohen me algoritme

17/10/2025 21:15

Nga Eda Kola

Në një botë ku zërat njerëzorë po zëvendësohen nga kode, ku kreativiteti matet me algoritme dhe ëndrrat programohen me efikasitet dhe përsosmëri, qenia njerëzore po humbet dalëngadalë qendrën e vet.

E nëse robotët fillojnë të mendojnë për ne, kush do të mbetet të ëndërrojë? Asgjë kundër teknologjisë, më mahnit fuqia e saj, por njëkohësisht më frikëson ideja e përsosmërisë që po zëvendëson të bukurën, papërsosmërinë njerëzore.

Marr shkas për këtë shkrim nga disa promovime që me gjithë dukjen e tyre profesionale më lënë të hutuar dhe të tronditur. Në një nga metropolet më të mëdha botërore siç është New York apo ndryshe “ëndrra amerikane”, tashmë promovohet në çdo billboard roboti në vend të njeriut, “toka e premtuar” po pushtohet nga inteligjenca artificiale, që në një të ardhme jo shumë të largët, do ia ‘vjedhë’ njerëzve ëndrrat e tyre.

Këto tabela gjigante që përkthimin e drejtpërdrejtë e kanë: “Ti nuk je më i nevojshëm, roboti e bën më mire”, më bëjnë dëshmitare të një tranzicioni që nuk e kam zgjedhur vetë e as nuk dua të jem pjesë. Si do të rritet një brez i ardhshëm që në fillesat e tij do të bëje paqe me idenë që robotët mund të bëjnë gjithçka më mirë dhe se bota ka mjaft ide, mjaft art e krijimtari, e se gjithçka tashmë është “optimizuar”?

Një brez që nuk do ta ndjejë nevojën për të ëndërruar, sepse çdo ëndërr do të jetë e zëvendësuar nga një kod që e realizon atë menjëherë. Teksa eci përballë këtyre promovimeve trishtuese, është një heshtje përballë shpirtit, që e bën njeriun të dallueshëm nga çdo element tjetër në tokë, e kjo heshtje të bën të ndihesh i tepërt në një botë që vetë njeriu e ka ndërtuar. E mbase ky nuk është aspak fundi i njeriut, por fillimi i një epoke ku duhet të luftojmë për të kujtuar vetveten dhe idenë që robotët nuk mund të duan apo të vuajnë dhe pikërisht këtu fillon vlera jonë.

Në një botë ku gjithçka mund të zëvendësohet me algoritëm detyra jonë është të mbrojmë vlera që nuk mund të programohen. Nëse humbasim këtë dimension njerëzor do të kemi gjithçka tjetër, përveç asaj që e bën jetën të vlefshme.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta