
Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj nga Konferenca e Kryetarëve, shprehu shqetësimin për funksionimin e Parlamentit të Shqipërisë.
Ai tha se ‘fjala e lirë dhe hapësira institucionale e opozitës po dhunohet në mënyrë të vazhdueshme, duke rrezikuar themelet e pluralizmit dhe të vetë sistemit demokratik’.
Më tej, demokrati bëri apel për reflektim dhe rikthim për normalitetin parlamentar, duke shtuar se është interes i përbashkët, jo vetëm i opozitës.
Fjala e plotë:
Zoti Kryetar, të nderuar kolegë të dy krahëve,
Më shumë sesa si përfaqësues i opozitës, si qytetar i këtij vendi e përjetoj me shqetësim dhe dhimbje të thellë këtë që po ndodh me Parlamentin dhe fjalën, të cilën e keni marrë peng! Ky është një atentat që po i bëhet kësaj shoqërie! Kuvendi është pronë e saj!
Ju po përpiqeni të depersonalizoni Opozitën, por në fakt po depersonalizoni vetveten. Ju nuk e kuptoni në këtë turravrap se, duke zvogëluar liritë dhe hapësirat e opozitës, keni ngushtuar liritë dhe hapësirat tuaja jetike, politike e njerëzore!
Andej nga e kam unë origjinën kanë një fjalë të urtë: “Nuk të mban ajo çfarë sheh”! Kemi parë këtej anash VIP socialistë, e kujtoni Saimir Tahirin? Sa pimpant, sa arrogant, sa vrapues e kumbues ka qenë? Njerëzit i dukeshin si miza!
Po ashtu Arben Ahmetajn, Tigri i zhburrëruar në Tigrush, të cilit tokësorët i ngjanin të parëndësishëm!
Beqen e Lalin gjithashtu në apogje! U përdorën, u hollën dhe në fund secili prej tyre mbrojtjen që iu takon si individë në kushtet e shtetit ligjor, e kërkojnë tek ligjet dhe tek Kushtetuta që ju po copëtoni ditë pas dite! Pse po e them këtë? Askënd nuk e mbron militantizmi dhe njëanshmëria, por rregullat e shkruara e të respektuara bashkërisht!
Ajo që ndodhi dje ishte përsëri tentativa e radhës për të zvogëluar mekanizmat e kontrollit mbi Qeverinë dhe Institucionet!
Deputetët nuk kanë të drejtë vetëm të depozitojnë pyetje, por të bëjnë pyetje në çfarëdo forme që ata e dëshirojnë! Ju dje e prishët këtë traditë dhe frymë të rregullores, jo se patët hallin e Komisionerit, i cili për hir të së vërtetës tregoi dinjitet duke mos u bërë pjesë e skenarit tuaj!
Deputeti i bën pyetjet “live”, mund t’i interpretojë, mund t’i kontekstualizojë, mund t’i azhornojë, mund t’i shkruajë pa imponim!
Shqetësimi juaj është tjetër: nuk doni të dalë jashtë parashikimit interpelanca me institucionet e drejtësisë për aferat korruptive të depozituara në SPAK! Doni që ky moment të kalojë sa më shpejt, e në terr, mundësisht!
Këtu ka qenë Kryetare zonja Nikolla, zonja Spiropali, ju zoti Peleshi si Kryetar Grupi, zoti Çuçi gjithashtu, një farë kohe zoti Balla. Megjithë debatet e ashpra, për gjëra ku kemi rënë dakord, kemi vazhduar në dakortësi për funksionimin e Parlamentit, jo për çështje personale!
Ky ndryshim pozicionesh me ju Kryetar Kuvendi dhe zotin Balla, Kryetar i Grupit Socialist, ka sjellë një situatë të paprecedentë! Nëse ju të dy keni marrë përsipër të zhbeni pluralizmin, të zhbeni opozitën, mund të vëmë një bast publik: që një ditë do të zhbeni vetveten, e nuk do të keni as lot për të qarë!
Dhe në fund, dje folëm për Kosovën, por edhe aty mbeteni të kompleksuar nga 8 Nëntori 1941, kur Miladini e Dushani themelonin partinë tuaj, duke i futur thikën pas shpine çështjes kombëtare!
Zoti Balla, dje thatë që serbët për të na sharë thërrisnin “Sali Berisha”, e vërtetë është kjo, sepse ata Sali Berishën e njohin për armik, për patriot shqiptar!
Tani, zoti Manja, jeni i lirë të më dënon edhe mua me nja 25 ditë, sepse si ka ardhur puna, mund të ngrini si shqetësim edhe prishjen e qejfit, të humorit dhe të vizioneve të Edi Ramës për Shqipërinë 2030!
Top Channel