
Më pak burokraci, më shumë forcë ushtarake: Në prag të samitit të BE-së, kancelari i Gjermanisë Friedrich Merz në një deklaratë qeveritare tërhoqi vëmendjen për reforma rrënjësore të Bashkimit Europian.
Në prag të samtit të BE-së, që zhvillohet javën e ardhshme, kancelari i Gjermanisë Friedrich Merz bëri thirrje, që Europa ta përmbushë më me energji rolin e saj si “fuqi e paqes”. “Europa duhet t’i shfrytëzojë më me vendosmëri dhe më me unanimitet mundësitë e saj dhe ta verë në veprim fuqinë e saj për të formësuar një botë më të mirë”, kërkoi Merz në deklaratën qeveritare në Bundestag lidhur me takimin e nivelit të lartë. Marrëveshja e paqes për Gazën tregoi, se veprimi politik bën dallimin. Njëkohësisht Europa edhe ushtarakisht duhet të bëhet më e fortë, theksoi kancelari
Merz: Pasuritë ruse të përdoren për ushtrinë ukrainase
Kryetarët e shteteve dhe të qeverive të shteteve të BE-së javën e ardhëshme të enjten dhe të premten (23.10 – 24.10. 2025) do të takohen në Bruksel në samitin e tyre të vjeshtës. Eshtë e zakonshme që në prag të takimeve të tilla jepen deklarata qeveritare. Një projekt qendror i kancelarit në këtë takim do të jetë kërkesa, që të përdoren pasuritë ruse të ngrira në valën e sanksioneve. Edhe në samitin e Kopenhagës në fillim të tetorit Merz e vuri në dukje këtë çështje dhe pret tani që në Bruksel të ketë vendime konkrete.
Merzsynon që pasuritë e Bankës Qendrore ruse për kredi në vlerën e 140 miliardë eurove të përdoren për ta armatosur Ukrainën që të forcojë luftën mbrojtëse kundrejt Rusisë sulmuese.
Plan aksioni kundër kërcënimeve hibride nga Rusia
Ndaj kërcënimeve nga Rusia qeveria gjermane do të reagojë me një plan aksioni të zgjeruar për mbrojtjen nga rreziqet hibride. Këshilli kombëtar i sigurisë brenda pak ditësh në mbledhjen konstituuese të tij do të konsultohet për këtë, tha kancelari. Ai akuzoi Rusinë, se do të destabilizojë Gjermaninë dhe Europën – me sabotime dhe vrasje, me sulme kibernetike dhe disinformim të qëllimshëm.
“T’u jepet fund ekzgjarimeve me rregullore”
Merz në samitin e BE-së do të këmbënguli edhe për përparim drejt forcimit të aftësisë së konkurrencës së ekonomisë së Bashkimit Europian. “Europa do të bëhet më produktive, nëse ndryshon rrënjësisht”, tha ai. Kjo do të thotë: “T’u jepet fund ekzagjerimeve me rregullore, procedura më të shpejta, tregje të hapura, më shumë inovacion, më shumë vepra konkrete në vend të ngurrimeve.”
Kreu i partisë kristiandemokrate i bëri thirrje Komisionit të BE-së, që të paraqesë propozime konkrete të mëtejshme për reduktimin e burokracisë. Me hapat e deritanishëm, që parashikojnë lehtësimin e sipërmarrjeve nga një barrë prej rreth tetë milionë eurosh, Komisioni është në rrugën e duhur. “Por kjo nuk mjafton”, tha Merz. “Ne na duhet një verifikim sistematik i marrëveshjeve të BE-së.”
Merz theksoi njëkohësisht, se kjo nuk bie në kundërshtim me pohimin e qartë, që të arrihen objketivat për mbrojtjen e klimës deri në vitin 2045 si dhe objektivat e ndërmjetme deri më 2040. Kancelari theksoi, se nuk duhet të ketë asnjë dyshim për këtë. Kjo është pjesë organike e politikës për mjedisin dhe asaj ekonomike. “E kjo arrihet jo me rregullore, as me ndalime, por me teknologji të hapura, me inovacion, me aftësi konkurrence pikërisht edhe në teknologjitë, që e bëjnë të mundur mbrojtjen e mjedisit.” /dw
Top Channel